Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit, i publikuar të enjten, ndonëse i njëjtë për të gjithë, është lexuar nga secila parti sipas këndvështrimit dhe interesit të vet politik, duke i dhënë të drejtë vetes për qëndrimet që kanë mbajtur deri më tani.
Kushtetuesja u dha afat 30 ditë partive politike që ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit. Aty ku filluan interpretimet nga palët ishin në lidhje me procesin e votimit të fshehtë, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
VV pretendoi se Kushtetuesja e lejoi votimin e fshehtë. Nga ana tjetër, opozita tha se ky proces u cilësua anti-kushtetues.
Kush çka tha?
Në një reagim pak çaste pas publikimit të aktgjykimit, VV pretendoi se vendimi i Kushtetueses thekson atë që kjo parti ka insistuar që në fillim të procesit të konsituimit të Kuvendit.
“1. Obligimi për të përfunduar konstituimin e Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. 2. Zgjedhja e kryetarit dhe ajo e nënkryetarëve janë në nivel të barabartë. 3. Votimi i fshehtë nuk paraqet shkelje të Kushtetutës”, thuhet në reagimin e VV-së.
Qëndrim skajshmërisht të kundërt pati Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Ai tha se rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas dëshirës dhe askush nuk ka të drejtë të imponojë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të rregullt.
“Gjatë tërë kësaj kohe, PDK ka vepruar me përgjegjësi, seriozitet dhe konstruktivitet. Kemi ofruar zgjidhje, jo bllokim. Kemi kërkuar respektimin e rendit demokratik, jo skema për ta shtyrë apo thelluar krizën institucionale”, shkroi Krasniqi në rrjetin social Facebook, të enjten.
Lideri i opozitës theksoi se i vjen mirë që Kushtetuesja i dha fund “lojës së qëllimshme” të vonesës nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa.
Qëndrim të njëjtë pati edhe Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai theksoi se Kushtetuesja ka vendosur për votim të hapur e kompromis, “siç e kërkon demokracia e sjellja normale politike”.
“Ky është thelbi i vendimit. Kështu kishim kërkuar gjithnjë. Dhjetëra seanca të humbura, për teke të imponimit që u konstatua si jokushtetues sot”, shkroi kreu i LDK-së në Facebook.
Për kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – parti që e dërgoi çështjen në Kushtetuese – Ramush Haradinaj, ky aktgjykim duhet të jetë nxitje për dalje nga bllokada e krijuar tash e disa muaj.
“Shfrytëzoj rastin që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie politike e partiake, që ta zbatojnë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe t’i hapin rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve që dalin nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, sot u mbajt seanca e 38-të për konsituimin e kuvendit, mirëpo, me pajtim të të gjitha partive parlamentare ajo u shty për një ditë tjetër.
Ky vendim që u kumtua nga kryesuesi Avni Dehari, u morr pas ftesës që Kryetari i VV-së, Albin Kurti, u bëri të gjitha partive parlamentare për t’u takuar të shtunën, në funksion të gjetjes së konsensusit për konstituimin e Kuvendit.
Përfaqësues të partive opozitare – PDK, LDK e AAK – e kanë fajësuar vazhdimisht VV-në për bllokadën e krijuar tash e disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
VV ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për Kryetare të Kuvendit, e cila ka dështuar 37 herë që t’i marrë votat e nevojshme për të marrë drejtimin e legjislativit. Opozita nga ana tjetër e ka bërë të qartë se nuk do ta përkrahin kandidaturën e Ministres në detyrë të Drejtësisë.