Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i ka bërë thirrje Qeverisë që sa më shpejt ta dërgojë në Kuvend Ligjin për Specialen për shqyrtim dhe miratim.

Gruda ka thënë se koha në dispozicion është e kufizuar, pasi Kuvendi mund të shpërndahet brenda pak ditësh.

“Jemi këtu për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë Ligjin për Specialen në Kuvend për miratim. Kanë mbetur pak ditë kur edhe mund të shpërndahet, me gjasë, ky Kuvend”, deklaroi Gruda.

Ai tha se Kuvendi nuk duhet ta përfundojë mandatin pa e trajtuar këtë nismë ligjore.

Sipas Grudës, miratimi i këtij ligji lidhet me mbrojtjen e historisë së Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nuk i falet skenës politike që një Kuvend që është i konstituuar të shpërbëhet pa trajtuar ndoshta ligjin më të rëndësishëm, për ta miratuar një ligj që mbron historinë e Kosovës. Është një ligj për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe këtë duhet ta bëjmë bashkë”, tha ai.

Gruda u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike që të angazhohen për trajtimin dhe miratimin e këtij ligji para përfundimit të mandatit të Kuvendit.