Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se ndërhyrja ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë shpesh minimizohet dhe shndërrohet në debat partiak.

Në një intervistë në emisionin “Rubikon”, ku ka folur për Ligjin për Dhomat e Specializuara, Abdixhiku ka thënë se vëmendja ndaj rolit të ndërkombëtarëve në çlirimin e Kosovës është më e vogël sesa duhet të jetë.

Ai ka përmendur lëvizjen paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjen e NATO-s, duke theksuar rëndësinë e këtij të fundit në përshpejtimin e lirisë.

“Kam përshtypjen se intervenimit ndërkombëtar i japim shumë më pak vëmendje, sepse pa këtë intervenim liria nuk do të ndodhte atë kohë, mund të ndodhte në të ardhmen dhe me siguri do të ndodhte, por me siguri me kosto shumë më të madhe”, ka deklaruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka kritikuar, siç e ka përshkruar ai, prirjen për ta minimizuar ndërhyrjen ndërkombëtare dhe për ta kthyer atë në përplasje politike mes partive.

“E minimizojmë. Po, e shndërrojmë në betejë partiake. E minimizojmë ndërhyrjen ndërkombëtare, e vërteta është se ndërhyrja ndërkombëtare e përshpejtoi lirinë”, ka thënë Abdixhiku.