Ligji për shtetësinë, të cilin në Kuvendin e Kosovës e votuan deputetët e Vetëvendosjës dhe Listës Serbe thotë se “Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës deri me datën 1 janar 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë”.

Pra, secili serb që mund të ketë lindur dje, kudo, në Beograd a SHBA, e prindi rastësisht i është gjendur në Kosovë në kohën e luftës, atij i takon automatikisht shtetësia e Kosovës.

Për një rast të tillë, ka alarmuar ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj në Debat Plus në TV Dukagjini ku tha se me kalimin e këtij ligji, nënshtetësinë e shtesat e shtetit të Kosovës e kanë marr edhe e bija e kriminelit Rankoviç e gjeneralë serb me dy yje sipas tij.

“Në rrugën Armend Qymyri, numër 4, mbrapa ETC-së është e regjistruar. Suzana Rankoviq, kurrë kjo qytetare e Republikës së Kosovës nuk ka qenë, asnjëherë hiç. Edhe thirrje publike, nëse ka gjakovarë që e dinë që Rankoviq-i ka prejardhje prej Gjakove, unë më as vetes njeri nuk i them. Dhe tjetër, gjeneral serb, gjeneral me dy yje, që është edhe më e rëndë mendoj, jo veç për ministrin, mendoj është më e rëndë për mua si shqiptar i këtij vendi. Kqyre tash zotëria me letërnjoftim të Kosovës dhe përfitues i skemës sociale të Qeverisë së Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

Në ndërkohë, të martën kur Ministri i Punëve të Brendshme, kur u pyet për mundësinë e selektimit të personave që do të mund të pajisen me dokumente të Kosovës tha se ata janë të vetmit që punuan kundër serbëve që kishin punuar në institucionet në Serbi.

“Jam i vetmi ministër i Punëve të Brendshme në historinë e Kosovës që ju ka heq nënshtetësinë atyre që kanë punu për institucionet e sigurisë në Serbi”, deklaroi Sveçla.