“Nuk kemi çka takohemi me askënd para se ligji me kalu në lexim të dytë”, ka thënë Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pasi që është pyetur nëse do të takohet me Kryeministrin Albin Kurti.
Në një konferencë për media nga holli i Kuvendit, Hamza kërkoi nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, përveç ata të Listës Serbe, që t’i japin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për votim në lexim të dytë Ligjit për Gjykatën Speciale.
Ai bëri me dije se deri më tani janë mbledhur nënshkrimet e deputetëve të PDK-së dhe Aleancës.
“PDK po pret, po kërkon që të thirret seanca, që të aprovohet Ligji për Dhomat e Specializuara në leximin e dytë. Ne kemi dërguar ftesë dhe kërkesë zyrtare Kryetares së Kuvendit, Haxhiu, i kemi mbledhur nënshkrimet e një numri të konsiderueshëm të deputetëve për seancë të jashtëzakonshme, komplet nënshkrimet e PDK-së dhe të Aleancës janë nënshkrime të cilat vec janë ekzistente tani”, tha Hamza.
“Ju kemi dërguar, ftesë, kërkesë e lutje, të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës – të Vetëvendosjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetëve të komuniteteve joshumicë, jo Listës Serbe, që të na japin nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Hamza potencoi se nuk ka asnjë arsye që ligji të mos aprovohet.
“Ne kërkojmë që ligji të aprovohet. Nuk ka asnjë arsye që ligji të mos aprovohet në lexim të dytë. Ligji i ka kalu të gjitha procedurat. Nuk ka as pengesa ligjore, as procedurale dhe nuk do të ketë as pengesa politike dhe mosvullnet politik në këtë rast nga subjektet e tjera politike që ligji të mosaprovohet në lexim të dytë”.
Kreu i PDK-së foli edhe për dhunën që policia e ushtroi ndaj protestuesve të hënën, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre.
Ai e ftoi Qeverinë që të mos kontribuojë në tensionimin e situatës.
“I bëj ftesë qeverisë që mos me kontribu në tensionimin e situatës, por me bë të kundërtën që e ka detyrë. Me mbajtë situatën të qetë, pa probleme dhe jo dhunë joproporcionale ndaj njerëzve që janë duke protestuar. Mbrëmë kemi pa skena të papranueshme. Dhunë të te tepruar të panevojshme”, deklaroi ai ndër të tjera.









