Në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Kamenicës, që udhëhiqet nga Kadri Rahimaj i Vetëvendosjes, për vitin 2025, është gjetur se janë angazhuar 32 punonjës për shërbime të veçanta pa procedura ligjore.
“Komuna kishte angazhuar 32 punonjës përmes ‘marrëveshjeve për shërbime të veçanta (MSHV)’, pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe pa aplikuar procedurë të rekrutimit me kritere përzgjedhëse. Për më tepër, angazhimi i tyre ka qenë për kryerjen e detyrave që i përkasin pozitave të rregullta të punës, e jo për shërbime të veçanta apo detyra specifike, siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi”, thuhet në raport.
Siç citohet aty, Ligji për zyrtarët publikë, neni 101 thotë që “marrëveshjet për shërbime të veçanta, lidhen sipas legjislacionit përkatës për prokurimit publik”.
“Derisa Rregullorja për prokurim publik, neni 57, “shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë, por të cilat shërbime nuk mund t’i plotësojë me stafin që ka”.
“Po ashtu, neni 10.6 i Ligjit të Punës thekson se “kontrata për një detyre specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se 120 dite brenda një (1) viti”.
Auditori thekson se kohëzgjatja e kontratave në 10 raste ishte më gjatë se koha e lejuar ligjore prej 4 muajsh.
“Kjo gjendje ishte për shkak të mungesës së pozitave të aprovuara të vendeve të punës më ligjin për buxhetin e RK-së”.
Aty theksohet se anashkalimi i procedurave të prokurimit dhe procedurave tjera përkatëse për angazhim të stafit ndikon në “mos zbatimin e kërkesave ligjore dhe në transparencën e procesit. Kjo praktikë eliminon konkurrencën e hapur dhe rrit rrezikun e angazhimit të personave jo adekuat për pozita dhe detyra të caktuara, duke ndikuar negativisht në cilësinë e punës”.
Përmes këtij raporti i rekomandohet Kryetarit se duhet të sigurojë që për pozita të rregullta të punës angazhohet staf i rregullt përmes procedurave të rekrutimit dhe se për angazhimet për shërbime të veçanta dhe detyra specifike, aplikohen procedurat e prokurimit sipas kërkesave ligjore.









