Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Qeveria ka miratuar një pako prej gjashtë projektligjesh, të cilat sipas saj përbëjnë bazën e reformës së sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në një konferencë për media, Gërvalla tha se këto projektligje synojnë rritjen e efikasitetit, profesionalizmit, integritetit dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Një prej projektligjeve parasheh ndryshime në mënyrën e rekrutimit dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas Gërvallës, kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimeve të veçanta, përfshirë evidencat penale, llogaritë bankare dhe regjistrat e pronave.

Ajo tha se për herë të parë parashihet që gjyqtarët dhe prokurorët të mund të shkarkohen për performancë të dobët.

“Gjyqtarët dhe prokurorët do të shkarkohen edhe në rast se vërtetohet që kanë pasuri të pajustifikueshme”, deklaroi Gërvalla.

Ministrja tha se verifikimi i pasurisë do të bëhet çdo tre vjet, ndërsa projektligjet parashohin edhe masa mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët dhe familjet e tyre në rast kërcënimesh.

Pakoja përfshin edhe ndryshime në ligjet për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Akademinë e Drejtësisë.

Gërvalla foli edhe për Ligjin për Byronë, duke thënë se qytetarët po e presin me padurim miratimin e tij.

“Qytetarët e Kosovës janë duke e pritur me padurim Ligjin për Byronë”, tha ajo.

Sipas Gërvallës, reforma synon organizim dhe menaxhim më të mirë të punës, si dhe profesionalizim më të madh të gjykatave dhe prokurorive.

“Kush nuk performon, sipas këtyre projektligjeve do të largohet nga sistemi”, deklaroi ministrja.