Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka nxjerrë një komunikatë për të sqaruar rrethanat mbi të cilat u mbajt ligjërata rreth Gjykatës Speciale në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Ambasada helvetike ka thënë se aktivitete të tilla ndërgjegjësimi rreth Dhomave të Specializuara të Kosovës mbahen me mbështetjen e tyre që nga viti 2018 me qëllim ndërgjegjësimin publik.

“Përmes Zyrës së Ndërgjegjësimit, Dhomat e Specializuara angazhohen me një gamë të gjerë palësh të interesuara për të ndarë informacione të disponueshme publikisht në lidhje me mandatin dhe punën e saj, për të dëgjuar perspektivat e qytetarëve dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve – pa promovuar narrativa specifike”, thuhet në komunikatën që ambasada ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.

Kujtojmë se Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë po mbajnë ligjërata me nxënës të shkollave të mesme në Kosovë, pa asnjë paralajmërim, pa asnjë njoftim zyrtar. Kjo u dëshmua nga një fotografi, në të cilën shihet se si prej nxënësve kërkohet vlerësimi i ligjëratës, të cilës nuk i dihet përmbajtja.

Në fotografinë e publikuar ditë më parë, një nxënës, i cili e ka bërë këtë vlerësim, në dokumentin që burim ka institucionin e Dhomave të Specializuara ka shkruar “Free Hashim Thaçi”, apo “Liri për Hashim Thaçin”.