Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka paralajmëruar një nismë të re ligjore për Gjykatën Speciale, përmes së cilës synojnë të ndryshojnë funksionimin e saj, por jo ta shuajnë atë.
Çitaku tha se nisma e re nuk ka për qëllim shmangien nga drejtësia, por kthimin e Gjykatës Speciale në atë që, sipas saj, ishte mandati fillestar për të cilin ishte themeluar nga Kuvendi i Kosovës.
Ajo pretendoi se mekanizmi gjyqësor ka devijuar tërësisht nga mandati dhe arsyeja e themelimit të tij.
“Ligji që tashmë është në Kuvend nuk e ka për synim as shmangien nga drejtësia, as shuarjen e Gjykatës Speciale. Nisma e re ligjore ka për qëllim që ta kthejë në binarë të drejtë një mekanizëm gjyqësor që e ka themeluar Kuvendi, por që ka devijuar tërësisht nga mandati i saj”, deklaroi Çitaku.
Ajo bëri të ditur se pas votimit të ligjit për Specialen, të cilin presidentja e Kosovës e ka kthyer në Kuvend, PDK-ja do të nisë procedurën e amendamentimit.
Sipas Çitakut, përmbajtja e ligjit të ri pritet të finalizohet brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit aktual.
Ajo tha se për këtë proces kanë pasur pajtim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Aleancën, ndërsa dallimet, sipas saj, kanë qenë vetëm në aspektin procedural.
Çitaku pranoi se nisma mund të përballet me kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, por tha se PDK-ja ka marrë rekomandime nga profesionistë dhe miq ndërkombëtarë për ndryshimet e propozuara.
“Ne e kemi ditur që nuk do të jetë një ndërmarrje e lehtë. E kemi ditur që do të kemi pengesa, e kemi ditur që ligji do të kontestohet nga bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht nga BE-ja”, tha ajo.
Çitaku paralajmëroi se përmbajtja e detajuar e nismës së re ligjore do të bëhet publike në një konferencë tjetër.









