Biznesmeni Hajrush Shoshi, ka fituar një tender mbi 253 mijë euro nga Komuna e Mitrovicës që drejtohet nga Faton Peci.

Ky emër, pra Hajrush Shoshi, është i njohur për lidhjet e tij me Faton Pecin. Gjatë kohës sa ky i fundit ishte Ministër i Bujqësisë, Shoshi kishte fituar grant prej 75 mijë e 449 euro.

Tenderin nga Komuna e Mitrovicës e ka fituar me grupin e operatorëve ekonomikë në bashkëpunim me NNP CTA dhe Intering Construction.

Siç merr vesh VOX Kosova, pronarë të kompanisë Intering Construction, që është pjesë e kompanive fituese, janë familjarë të Hajrush Shoshit.

Tenderi ka të bëjë me “Rregullimi i Qendrës së Kulturës Aneksi A&B” dhe mban datën 3 nëntor.

Në garë kanë qenë edhe katër operatorë të tjerë ekonomikë. Njëri prej tyre e kishte edhe ofertën më të lirë me 249 mijë e 249 euro, por që nuk është përzgjedhur.

Hajrush Shoshin, Faton Peci, në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë, e kishte vizituar më 1 shtator 2024, në pemëtarinë e tij në Dobrushë të Istogut. Për këtë vizitë, Peci kishte shkruar vetë në llogarinë e tij në Facebook.

Shoshi është edhe asamblist nga radhët e Lidhjes Demokratike në Istog. Më parë ai ka qenë edhe drejtor i Arsimit në Komunën e Istogut.