Raportet Financiare të Kompanisë Energy Financing Time të Vuk Hamoviçit, degës në Tiranë, kokës së mafias energjetike në Ballkan dhe raportet financiare të BIRN-it në Kosovë të Jeta Xharrës, e kompanisë Internews të Faik Ispahiut, partnerit të Xharrës, i mban praktikisht e njëjta kompani.
Në raportet publike të Auditimit për këto kompani, për vite të ndryshme, del se BIRN-it dhe Internews-it në Kosovë ua bën auditimin kompania “Balluku dhe Zhaveli”.
Kompani e regjistruar në vitin 2003 me partner Tomorr Zhavelli dhe Esmeralda Balluku.
Në të gjitha raportet e BIRN-it të Jeta Xharrës dhe Faik Ispahiut figuron se raportet e auditimit kryheshin nga kompania e Zhavelit dhe Esmeralda Ballukut.
Dhe, është pikërisht Esmeralda Balluku, që bën të njëjtën punë edhe për kompaninë Energy Financing Time Tirana, dega e kompanisë së Vukë Hamoviçit në Tiranë.
E kompania EFT, dega në Tiranë, është e lidhur me kompaninë NOA Energy Trade.
Siç kanë raportuar mediat në Kosovë e Shqipëri, drejtori menaxhues i EFT-së në Tiranë, Mirsad Uruqi, është në lidhje të largëta familjare me pronarin e NOA Energy Trade, Gentian Sula.
Të pasurit auditor të njëjtë përbën vetëm një fragmentet e kësaj çështjeje, përkundër se është detaj i rëndësishëm në vetëvete, por ndërlidhja merr përmasa edhe më shqetësuese kur del në pah një tjetër fakt.
Në platformat e Jeta Xharrës në Kosovë nuk ekziston asnjë lajm për NOA Energy Trade, por raportime s’ka as për Vukë Hamovicin e EFT-në.
Nëse kërkohet në Kallxo.com për NOA-n, kompaninë fantomë që fitoi qindra miliona euro në hark kohor të 2-3 viteve, nuk shfaqet asgjë.
Kallxo nuk ka raportuar as për fillim të hetimeve nga Prokuroria për këtë kompani.
Si është e mundur që për një nga temat kryesore në Kosovë nuk ka asnjë lajm nga një prej platformave kryesore të lajmeve në Kosovë?
Por, çudia nuk përfundon këtu. Veçse rritet.
Nëse kërkon në Kallxo për EFT-në e Hamovic-it, gjithashtu nuk të del gjë.
Pos, një lajm i vetëm raportues, me titull “Muja pyet ish anëtarët e bordit të KOSTT-it për shkëmbimin e energjisë me ndërmarrjen serbe EFT Group në vitet 2006-2008” që është thjesht raportim mbi një mbledhje të një komisioni parlamentar.
Më e rënda, edhe nëse kërkon në Kallxo.com për Vuk Hamovicin, nuk del gjë prapë.
Kurse nëse kërkon në Google me kombinimin Kallxo dhe Vuk Hamovic atëherë te del veç një tekst i para 14 vjete me titull “KEK-u Tregton me Bosët e ‘Territ’”.
Dhe më pas asgjë.
Si është e mundur? Si ka mundësi që platforma e vetëshpallur më e madhe hulumtuese në Kosovë nuk ka asnjë hulumtim për problemin kryesor në Kosovë, energjinë dhe mafian energjetike?
A nuk është Jeta Xharra e interesuar të merret me energjinë dhe problemet me energji?
E kundërta.
Po të kërkosh në internet Jeta Xharra të bashkuar me Termocentrali Kosova e Re të dalin plotë artikuj.
Xharra, në bashkëpunim me Haki Abazin ishte angazhuar në një fushatë aktive, tejet intensive, për të ndaluar ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.
Xharrra ishte gjithandej me deklarata tmerruese për popullin e Kosovës se si nëse ndërtohet termocentrali i ri, vajhalli për popullin e shkretë.
Jepte deklarata të frikshme se si investimi në qymyr “ka me na i nxi mushkëritë, ashtu qysh kështu-ashtu i kemi të nxime ne kosovarët”.
Madje, tentonte të krijonte një ndarje të heshtur krahinore: se si në disa cepa të Rrafshit të Kosovës, ajri i helmuar nga qymyri po u merr frymën foshnjave.
Por, kishte kaluar kufijtë e gazetarisë, Xharra kishte bashkëthemeluar edhe një rrjet kundërshtuesish.
Quhej Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (KOSID), një përzierje shpëtuesish e akterëve të shoqërisë civile, nga Jeta Xharra te Haki Abazi e të tjerë, të cilët me një përkushtim të admirueshëm mbushnin ekranet e Kosovës që nga mëngjesi herët, duke paralajmëruar popullin për apokalipsin që, sipas tyre, do të pasonte nëse do të guxohej të ndërtohej termocentrali i ri.
Nuk kishte ditë që Jeta Xharra e kombinuar me Vetëvendosjen dhe një pjesë të shoqërisë civile që nuk bllokonte ekranet se si Kosova në asnjë rrethanë të mos ndërtojë termocentral të ri.
Gënjente se Kosova tash ka forma të reja alternative për prodhim të energjisë.
Përveç në televizione, agresive ishte fushata edhe në rrjete sociale. Ishte hapur kanal në Youtube. Faqe në Facebook e platforma të tjera e madje thuhej edhe se ia vlen që Kosova të paguajë dënim dhjetramilionësh vetëm të mos e ndërtoi Termocentralin e Ri.
Dhe përfundimisht, ndërtimi i Termocentralit të Ri u ndalua.
Termocentrali që këtë vit do ta fillonte punën e do të prodhonte 500 megavat për sekondë, që nënkupton plotësim të krejtësishem të nevojave të energjisë elektrike në Kosovë, u stopua. Në emër të ambientit, përkundër se projekti parashihte që ndotja e ambientit nga ky termocentral të ishte zero, për shkak të teknologjisë së fundit.
Dhe çka ndodhë më pas.
Konserciumi i Jeta Xharrës pushon automatikisht aktivitetin pasi sigurohen se e ndaluan termocentralin e Kosova prapë mbetet të importojë energji elektrike nga Serbia.
Nëse shihni sot në faqe të Facebook-ut të KOSID-it, postimi i fundit është në vitin 2018.
Ndërsa nëse klikoni për të kaluar në faqe te KOSID në internet, aty shihet se është domen i braktisur dhe të shfaqen figura të lojërave të fatit e bastore në Indonezi.
Kosova nuk e ndërtoi termocentralin ashtu siç deshi Jeta Xharra, por Kosova nuk ndërtoi as kapacitete të reja prodhuese nga forma alternative, siç premtonte Jeta Xharra.
Atëherë përse e ndali ajo aktivitetin?
Sepse në thelb, nuk bëhej fjalë për ndaljen e ndërtimit të një termocentrali të ri, aq më pak për “shpëtimin e mjedisit”. Qëllimi ishte të ndalej termocentrali, sepse dikujt i interesonte të vazhdonte importimi i rrymës në Kosovë nga Serbia. Dhe këtë e bëri përmes Jeta Xharres. Prandaj sot, ajo dhe organizata e saj jo veç që e ka pushuar aktivitetin për prodhim energjie alternative, por as nuk raporton fare për importimin e madh nga Serbia e fitimet milionëshe të Vuk Hamovicit nga ky import e ato të NOA-s nga tregtimi i rrymës për në Kosovë.
Heshtja selektive sot ekspozon më qartë se çdo fushatë se për çfarë ka qenë vërtet beteja.