Nga 8 marsi i këtij viti, Mojtaba Khamenei ka zënë vendin e babait të tij Ali Khamenei në karrigen më të pushtetshme të Iranit.

Por, iranianët dhe bota mbarë tash e gjashtë javë nuk kanë dëgjuar nga Lideri i tretë Suprem i Republikës Islamike.

Veç një fjalimi të lexuar në televizionin shtetëror të Iranit nga një prezantuesja e lajmeve, Mojtaba nuk është parë në kamera.

Raportime të mediave dhe një deklaratë e presidentit amerikan, Donald Trump, sugjerojnë se ai është i lënduar keq.

“Epo, nuk janë vetëm ata, jeni edhe ju njerëzit. Dua të them, shumë njerëz po thonë se ai është i shpërfytyruar rëndë. Po thonë se ka humbur këmbën, njërën këmbë, dhe se, e dini, është plagosur shumë rëndë. Të tjerë po thonë se është i vdekur. Askush nuk po thotë se është 100% i shëndetshëm. Dhe ai nuk ka folur, sepse Ajatollahu rrinte dhe përhapte urrejtje nga një lloj froni”, ka deklaruar Trump.

Mosprania e Mojtaba është një kontrast shumë i madh me të atin e tij, i cili ishte shumë i pranishëm në publik.