Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon mbështetjen e tij për koalicionin “VLEN” – pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut – ministri i tij i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është takuar me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tani në opozitë.

Aliu, i cili nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka shkuar në zyrë Ahmetit në Reçicë të Vogël, pavarësisht se Kurti dhe figura të larta të Vetëvendosjes kanë qenë kritikë të hapur ndaj BDI-së.

Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, Kurti dhe aktivistë të VV-së morën pjesë aktivisht në mbështetje të “VLEN”-it. Madje, kjo parti kishte edhe një kandidat për deputet – Bekim Qoku – i cili arriti të fitojë një ulëse në Kuvendin e RMV-së.

Por, duket se Liburn Aliu, njëri nga bashkëpunëtorët më të vjetër të Kurtit, është ndër zërat e rrallë brenda VV-së që nuk ndjek vijën zyrtare të partisë për politikën ndaj shqiptarëve në RMV.

Përderisa Kurti po flet e po mbështet “ndryshimin” në Shkup”, Aliu po shfaqet në krah të të “vjetërve”.