Ish-Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, do të drejtojë një podcast kushtuar librave që kanë formësuar thellësisht botëkuptimin e tij, duke filluar nga “Song of Solomon” i Toni Morrison deri te “Tinker Tailor Soldier Spy” i John le Carré.
Podcasti, i titulluar A Great Book with Barack Obama, do të nisë në Audible më 24 shtator.
Në secilin prej gjashtë episodeve – të prodhuara nga kompania në pronësi të Amazonit, në bashkëpunim me kompaninë e produksionit të Familjes Obama, Higher Ground – ish-Presidenti Amerikan do të diskutojë me një të ftuar për një nga titujt që ka përzgjedhur.
Përveç veprave të Morrison dhe le Carré, Obama ka zgjedhur edhe “The Fire Next Time” nga James Baldwin, “All the Pretty Horses” nga Cormac McCarthy, “Gilead” nga Marilynne Robinson dhe “All the King’s Men” nga Robert Penn Warren.
“Librat e mëdhenj më kanë ndihmuar gjithmonë të kuptoj se kush jam dhe në çfarë besoj”, tha Obama.
“Gjashtë librat e përfshirë në këtë seri më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës sime dhe secili prej tyre ka diçka për të na mësuar rreth përvojës njerëzore”.
“Për këtë podcast, ftova disa miq që të shqyrtojmë së bashku arsyet pse këta libra na prekin kaq shumë, se si mund të formësojnë mënyrën se si e kuptojmë veten dhe njëri-tjetrin, si dhe pse letërsia ka rëndësi sot më shumë se kurrë”.
“Shpresoj që dëgjuesit të frymëzohen për të zbuluar ose rizbuluar libra që ndryshojnë mënyrën se si e shohin veten dhe botën”, tha Obama.
Të ftuarit e podcastit ende nuk janë bërë të ditur.

Prej vitesh, Obama i ndan publikisht librat e tij të preferuar, duke publikuar lista me libra për lexim gjatë verës, si dhe përmbledhje të zgjedhjeve të tij në fund të çdo viti.
Lista e kësaj vere, të cilën e publikoi në fund të korrikut, përfshin “Kin” nga Tayari Jones, “Vigil” nga George Saunders, “The Things We Never Say” nga Elizabeth Strout, “Transcription” nga Ben Lerner dhe “Cool Machine” nga Colson Whitehead.
Ndërsa listat e tij zakonisht përbëhen nga libra të botuar së fundmi, të gjitha veprat që Obama ka përzgjedhur për podcastin e tij janë botuar në shekullin XX, me përjashtim të “Gilead” të Marilynne Robinson, i cili u botua në vitin 2004.
Robinson dhe Obama nisën një korrespondencë, pasi ai e ftoi atë për darkë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa në vitin 2012 Obama i akordoi asaj Medaljen Kombëtare për Shkencat Humane.









