Kompania për shpërndarjen e energjisë elektrike, KEDS, sot ka njoftuar se ka nisur shkyçjet masive të bizneseve që nuk kanë dalë në tregun e lirë, pra që nuk kanë respektuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. KEDS po ashtu ka njoftuar se kanë nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve, gjë që ka nxitur reagime të shumta.

Ndër reagimet e para ka qenë ai i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, nëpërmjet të cilit kjo shoqatë kundërshtoi vendimin duke thënë se pasojat do të jenë të rënda.

“Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë, uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, shkruhet në reagimin e Shoqatës së Prodhuesve.

Reagim ka ardhur edhe nga Dhoma e Tregtisë e Industrisë në Kosovë, të cillët po ashtu nëpërmjet një komunikate, njoftuan opinionin publik se “liberalizimi i dhunshëm” rrezikon humbjen e punës për 22 mijë qytetarë të Kosovës dhe se pritet që të godasë rëndë ekonominë.