Dy ish-Kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, u është vazhduar paraburgimi në Hagë, një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj tyre nga Gjykata Speciale. Vendimi i nxjerrë nga Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith, nënvizon se paraburgimi zgjatet edhe për dy muaj të tjerë. Megjithatë, vendimi është procedurë normale e Gjykatës dhe paraburgimi mund të ndërpritet në rast se ndaj dy të pandehurve ka vendim lirues.
Në vendimin e nxjerrë këtë të marte (15 shtator), ka një përjashtim. Smith, ka udhëzuar palët që të mos dërgojnë në këtë periudhë parashtresa për vazhdimin ose jo të paraburgimit, duke pasur parasysh faktin se më 16 shtator nxirret aktgjykimi.
“Paneli vëren se, në përputhje me nenin 41(10), shqyrtimi i radhës i paraburgimit të z. Veseli, në parim, është i caktuar për të premten, më 13 nëntor 2026, përveç nëse ndërkohë nxirret aktgjykimi i gjykimit. Duke pasur parasysh se seanca për shpalljen e Aktgjykimit të Gjykimit është caktuar për të mërkurën, më 16 shtator 2026, dhe në rast të një lirimi nga akuzat ose shpalljes fajtor, Trupi konsideron se, në këtë fazë, nuk është e nevojshme të urdhërojë palët që të paraqesin parashtresa lidhur me shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Veseli”, thuhet në vendimin e nxjerrë nga Smith.
DOKUMENT:

Aktgjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, do të shpallet këtë të mërkurë më 16 shtator, në orën 10:00.
Transmetimi i seancës do të jetë me 10 minuta vonesë.









