Kanadaja pritet të hapë për herë të parë një përfaqësi diplomatike në Gronlandë, si shenjë solidariteti pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë kontrollin e territorit.
Një delegacion i zyrtarëve të lartë kanadezë, përfshirë Guvernatoren e Përgjithshme, Mary Simon, dhe ministren e Jashtme, Anita Anand, do të udhëtojë të premten drejt Nuuk-ut për të hapur zyrtarisht konsullatën e Kanadasë, e shoqëruar nga një anije e Rojës Bregdetare Kanadeze.
Para udhëtimit, Simon tha në një fjalim se Kanadaja “qëndron fuqishëm në mbështetje të popullit të Grenlandës, i cili do të përcaktojë vetë të ardhmen e tij”.
Vizita e tyre vjen në të njëjtën kohë me një vizitë të ngjashme të zyrtarëve francezë, të cilët pritet të hapin konsullatën e tyre në territor po ashtu.
Misionet kanadeze dhe franceze përbëjnë një zgjerim historik të angazhimit të huaj në Grenlandë. Deri këtë javë, vetëm Islanda dhe Shtetet e Bashkuara kishin konsullata diplomatike formale në Nuuk.
Kjo është gjithashtu një sinjal i mbështetjes së vazhdueshme nga aleatët e NATO-s për Grenlandën, pasi Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja duhet ta “zotërojë” atë për arsye të sigurisë kombëtare.
Presidenti më pas i zbuti këto komente, duke thënë se tani po shqyrton një marrëveshje të mundshme pas bisedimeve me Danimarkën, aleatët evropianë dhe Kanadanë.
Grenlanda ka qenë në vëmendjen e Kanadasë prej kohësh. Konsullata u njoftua për herë të parë në fillim të vitit 2024, kur Otava rishikoi politikën e saj të jashtme për Arktikun. Hapja ishte planifikuar për fundin e vitit 2025, por u shty për shkak të kushteve të këqija të motit.
Banorët e Grenlandës kanë kundërshtuar fuqishëm propozimin e Donald Trumpit për të marrë ishullin arktik gjysmë-autonom, ashtu si edhe aleatë të tjerë të NATO-s si Franca dhe Kanadaja.
Trump e ka justifikuar një marrje nën kontroll nga SHBA-ja të Grenlandës duke fajësuar Danimarkën për dështimin në mbrojtjen e mjaftueshme të ishullit nga kërcënimet ruse ose kineze.
Ai ka bërë privatisht ankesa të ngjashme edhe për rajonin arktik të Kanadasë javët e fundit, sipas një raporti të NBC News të publikuar në mesin e janarit.
Arktiku është identifikuar si një pikë e dobët nga qeveritë e njëpasnjëshme kanadeze, dhe Obed pranoi se infrastruktura atje, si rrugët dhe lidhjet elektrike, mbetet e kufizuar, në dëm si të sigurisë kombëtare ashtu edhe të banorëve të rajoneve veriore.
Qeveria e kryeministrit Mark Carney ka premtuar një prani ushtarake gjatë gjithë vitit në Arktik dhe ka zotuar më shumë se 1 miliard dollarë kanadezë (730 milionë dollarë amerikanë; 540 milionë paund) për projekte infrastrukturore veriore që do të përdoren si nga civilët ashtu edhe nga ushtria.
Ministrja e Jashtme Anand e ka quajtur mbrojtjen e Arktikut “një prioritet të padiskutueshëm të sigurisë kombëtare për këtë qeveri”.
“Nuk është një shqetësim dytësor, nuk është një çështje rajonale, por qendrore për mënyrën se si ne e mbrojmë Kanadanë në oborrin tonë dhe si kontribuojmë në sigurinë globale,” tha ajo në një Simpozium javën e kaluar.
Krahas hapjes së konsullatës kanadeze, Guvernatorja e Përgjithshme Simon do të takohet edhe me kryeministrin e Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ndërsa Anand do të takohet me homologen e saj, Vivian Motzfeldt.