“Basha e Gashani, ndalni gënjeshtrat në Kuvend. Mos i rrezikoni lojërat mesdhetare për agjendën e tuaj populiste”.
Kështu u ka thënë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, Ministrit të Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe atij të Sportit, Blerim Gashani, të cilët në seancën e së enjtes adresuan kritika ndaj Ramës sa i përket Lojërave Mesdhetare. Madje, Basha tha se Rama s’po do që lojërat të mbahen dikund tjetër, pos në kryeqytet.
“Basha dhe Gashani po e përdorin foltoren e Kuvendit për me mashtru qytetarët dhe me e fsheh përgjegjësinë e Qeverisë përmes akuzave ndaj meje dhe Kryeqytetit. Letrat me vërejtje nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, drejtuar Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë qartë se ku janë problemet dhe kush duhet t’i përmbushë obligimet”, shkroi Rama në Facebook.
Ai theksoi se qëndrimi i tij ka qenë dhe mbetet i qartë: “i mbështes Lojërat dhe përfshirjen e qyteteve të tjera, në përputhje me marrëveshjet dhe Masterplanin e miratuar”.
“Unë dhe Kryeqyteti kemi vetëm 3 nga 13 vota në Komitetin Organizativ. Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës e kanë shumicën vendimmarrëse. Përgjegjësinë për vendimet e tyre duhet ta marrin para qytetarëve”.
Kreu i kryeqytetit theksoi se po kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të Masterplanit “të hartuar nga profesionistët e të miratuar nga institucionet e Kosovës dhe Komiteti Ndërkombëtar”. “Çdo zotim i marrë në emër të Kosovës duhet të përmbushet”.
Sipas Ramës, Kryeministri Albin Kurti po e përdor këtë ngjarje historike “për agjendën e tij populiste, duke nxitur përçarje mes qyteteve dhe duke hedhur akuza për t’iu shmangur përgjegjësisë”. “Ndërkohë, koha për pagesat, infrastrukturën dhe përmbushjen e obligimeve po kalon”, shtoi ai.
Ai ka renditur edhe rreziqet e organizmit që, sic thekson ai, po vinë nga veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë.
“Mospagesa e obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat vetë Qeveria ka dhënë garanci. Përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit të miratuar. Afatet po mbarojnë. Çdo ditë e humbur e rëndon përgjegjësinë dhe e rrezikon këtë mundësi historike”, pohon ai.
Qeveria, Rama thekson se duhet t’i përmbushë obligimet e veta dhe atë kërkoi që ta bëjë tani.
“Ne do të vazhdojmë me punu për Prishtinën dhe për Kosovën, me përkushtimin që e kemi pasur që nga dita e parë. Qytetarët meritojnë t’i shohin Lojërat të realizohen me sukses dhe Kosovën të dalë faqebardhë para botës. Kuvendi meriton dinjitet. Qytetarët meritojnë të vërtetën. Kosova meriton që fjala e dhënë në emër të saj të mbahet!”, tha Rama.









