Nga 1 gushti hyn në fuqi tarifa prej 35 për qind për produktet serbe që futen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu thuhet në letrën që presidenti i SHBA-së, Donald Trump ia ka nisur homologut të tij serb Aleksandër Vuçiç e të cilën e ka publikuar në rrjetin social “TruthSocial”.
“Duke nisur nga 1 gushti 2025, ne do të vëmë tarifë prej vetëm 35 për qind në produktet serbe të dërguara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaras prej tarifave gjithësektoriale”, ka shkruar Trumpi në letër.
Në letrën drejtuar Aleksandër Vuçiqit, Trumpi ka thënë se shtetet kanë raporte të mira tregtare, “por fatkeqësisht raportet kanë qenë larg nga reciprociteti”.
Trumpi po ashtu e ka kërcënuar Vuçiqin se nëse vendos t’i rrisë tarifat ndaj produkteve amerikane, atëherë produktet serbe do të përballen me tarifë shtesë prej edhe 35 për qind.
Pos Serbisë edhe ndaj Kosovës është paralajmëruar tarifë 10 për qind, të cilën e ka vendosur SHBA-ja ndaj shumicës së shteteve.
Kosova ka një marrëdhënie tregtare në rritje me SHBA-në, duke eksportuar një sërë produktesh në këtë treg gjigant.
E produktet kryesore që eksportohen në SHBA përfshijnë ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, si dhe prodhime nga druri dhe plastika.