“Përparim thelbësor” në dialogun me Serbinë ka kërkuar Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Këtë, Merz e ka bërë ne letrën e tij për Kurtin, ku e ka uruar për rizgjedhjen e tij si Kryeministër.
“Veçanërisht, mbetet e rëndësishme që të arrihet përparim thelbësor në dialogun e normalizimit me Serbinë, të udhëhequr nga BE-ja”, thuhet në letrën e cila është publikuar nga Qeveria.
Rizgjedhja e Kurtit si Kryeministër, sipas Merz, i lë atij mundësi për të ndërtuar ura për të zgjidhur çështje të hapura institucionale, derisa ka përmendur pasigurinë politike që e ka shoqëruar Kosovën për muaj të tërë.
“Kosova po lë pas muaj të tërë pasigure politike, të cilët i kanë kushtuar shumë vendit. Konfirmimi i zgjedhjes suaj ofron mundësinë për të ndërtuar ura përtej ndarjeve partiake, për të zgjidhur çështje të hapura institucionale dhe për të çuar përpara reformat e nevojshme”, theksohet në letër.
Merz ka rikonfirmuar se Gjermania vazhdon “të qëndrojë fuqishëm në krah të Kosovës”.
“Ne jemi të lidhur me popullin e Kosovës përmes një miqësie të veçantë. Ju uroj suksese të mëtejshme në ushtrimin e detyrës suaj”, shkruan Merz.









