Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dënimin e qartë dhe të fuqishëm të deklaratës fashiste të Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezana Paunoviç, derisa e ka kritikuar Unionin për, siç tha ai, reagimin fillestar të kufizuar ndaj kësaj çështje.

Këtë, Konjufca e ka bërë përmes një letre që i ka dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, të cilës i ka kërkuar që sa më parë ose të takohet, ose të bisedojnë përmes telefonit për këtë çështje.

Në letër, BE-së i janë parashtruar tri kërkesa: të dënojë qartë deklaratën e Paunoviç-it, t’ia kujtojë Serbisë se deklarata të tilla bien ndesh me vlerat evropiane dhe kjo çështje të ngritët në dialogun për anëtarësimin e Serbisë në Union.

Kërkesat e Kosovës për BE-në, të dërguara nga Konjufca:

  1. Të lëshohet një dënim i qartë, i fuqishëm dhe publik i deklaratës së ministres Paunoviç dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson.
  2. T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe jo në pajtim me vlerat evropiane dhe me kërkesat për procesin e pranimit në BE.
  3. Të ngrejë këtë çështje në mënyrë të duhur në kuadër të dialogut politik BE-Serbi dhe procesit të anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i trajton incidente të tilla.

Aty, kryediplomati kosovar i ka thënë Kallas-t se janë të shqetësuar që reagimi fillestar i BE-së ishte i kufizuar dhe erdhi 48 orë pas deklaratës, “vetëm pasi kjo çështje u bë temë e diskutimeve të gjera në rajon dhe më gjerë”.

“Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbrojtur përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj parandalimit të krimeve mizore, refuzimit të gjuhës së urrejtjes dhe luftës kundër revizionizmit historik”, shkruan Konjufca.

Letra e plotë e Konjufcës për Kallas-in:

Republika e Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Prishtinë, 16 korrik 2026

E nderuara Shkëlqesi,

Po ju shkruaj për të shprehur dënimin e fuqishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me thirrjen e hapur dhe të papranueshme publike për spastrim etnik, të bërë nga znj. Snezana Paunoviç, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Republikës së Serbisë.

Më 11 korrik 2026, ministrja Paunoviç deklaroi në një intervistë televizive se, po të kishte qenë në pozitën e Slobodan Millosheviç-it në vitin 1998, ajo “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.

Kjo deklaratë përbën një glorifikim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ajo është thelbësisht e papajtueshme me vlerat evropiane dhe me obligimet politike e ligjore që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Megjithëse kemi marrë parasysh deklaratat e mëvonshme nga Beogradi, të cilat e distancojnë Qeverinë e Serbisë nga këto komente, ne i konsiderojmë ato më shumë si deklarata formale sesa si shprehje të sinqerta dhe domethënëse pendese. Retorika e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e thjeshtë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe të gërryejnë besimin në këtë proces.

Jemi po ashtu të shqetësuar që reagimi fillestar i Bashkimit Evropian ishte i kufizuar dhe erdhi më shumë se 48 orë pas deklaratës, vetëm pasi kjo çështje u bë temë e diskutimeve të gjera në rajon dhe më gjerë. Një reagim publik më i qartë dhe më i fuqishëm është i domosdoshëm për të mbrojtur përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj parandalimit të krimeve mizore, refuzimit të gjuhës së urrejtjes dhe luftës kundër revizionizmit historik.

Republika e Kosovës mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj një demokracie multietnike, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ne e refuzojmë spastrimin etnik dhe ndëshkimin kolektiv në të gjitha format e tyre.

Në dritën e sa më sipër, ju kërkoj me mirësi që Bashkimi Evropian të:

  1. Të lëshohet një dënim i qartë, i fuqishëm dhe publik i deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson.
  2. T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe jo në pajtim me vlerat evropiane dhe me kërkesat për procesin e pranimit në BE.
  3. Të ngrejë këtë çështje në mënyrë të duhur në kuadër të dialogut politik BE-Serbi dhe procesit të anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i trajton incidente të tilla.

Do ta vlerësoja mundësinë për ta diskutuar këtë çështje me ju sa më shpejt që të jetë e mundur, qoftë personalisht apo përmes telefonit. Kosova mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian dhe beson se Bashkimi do të reagojë në përputhje me vlerat dhe parimet që synon t’i mbrojë.

Ju lutem pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës

Shkëlqesisë së Saj, Kaja Kallas

Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë

Nënkryetare e Komisionit Evropian

Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS)