Mëngjesin e 5 nëntorit 2020, Kadri Veseli, pa shumë zhurmë në publik, u nis nga Prishtina për në Hagë.
Ai, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po nisnin një nga proceset më të gjata gjyqësore, në një aktakuzë që do ta akuzonte krejt Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si ndërmarrje kriminale.
Veseli lëshoi një deklaratë me shkrim ku foli për momentin e ri për Kosovën.
Qysh asokohe, ai e dinte se ky do të ishte një proces i gjatë.
“Do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, deklaronte Veseli, teksa shtonte se që nga koha kur raporti i Dick Marty u publikua, kjo ditë ishte e paevitueshme.
“Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që t’u jepej fund njëherë e mirë”, thoshte ish-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.
Për të, bashkëpunimi me drejtësinë nga liderët e vendit është rruga e duhur.
“Kur liderët e përveçëm thirren për të bashkëpunuar me një tribunal ndërkombëtar, ne duhet të veprojmë kështu pa hezitim. Edhe nëse ka akuza të bëra kundër nesh, atyre u duhet dhënë përgjigja në mënyrën e duhur, me faktet e së vërtetës. Unë këtë jam duke e bërë….Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta”.
Për Veselin, përballja në Hagë shënon hapin e fundit drejt shtetndërtimit dhe se sakrificat personale duhet të bëhen për të mirën e kombit.
“Për të mirën e kombit, nganjëherë duhet të bëhen edhe sakrifica personale. Shumë nga njerëzit tashmë kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Shumë prej tyre kanë bërë edhe sakrificën sublime. Procesi që po fillon para Dhomave të Specializuara është hapi i fundit në rrugëtimin tonë historik drejt shtetndërtimit të plotë. Duhet konsideruar si një mundësi për të vënë në dukje se ne kemi bërë një luftë të drejtë dhe të pabarabartë, dhe e kemi bërë këtë luftë në mënyrë të ndershme”.
Ai ndjehej krenar me të kaluarën e tij, me luftën e pastër të UÇK-së dhe shtoi se do të ngrihej në këmbë ta thotë të vërtetën e tij dhe të vërtetën për mijëra njerëz të pafajshëm që u vranë nga regjimi i Millosheviqit.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje e popullit, një kryengritje për vetëmbrojtje me burra dhe gra trima, të cilët bënë maksimumin e tyre në rrethana të jashtëzakonshme. Pa struktura formale për të mbrojtur popullsinë civile kundrejt një masakre ushtarake gjenocidale të planifikuar me kujdes prej forcave serbe. Sot, në nderim dhe përkujtim të më shumë se 10 mijë viktimave të pafajshme të regjimit të Millosheviqit, ne duhet të ngrihemi në këmbë dhe të tregojmë historinë tonë. Unë do të ngrihem në këmbë të tregoj historinë time. Ne duhet të ngrihemi për të treguar historinë e tyre. Ne duhet t’i qartësojmë të gjitha faktet, në mënyrë që historia ta njohë të vërtetën”, shkruante Veseli.









