Heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës i ka kërkuar Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një letër që ia ka dërguar të martën.

“LDK kërkon heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Kosovës. LDK vlerëson se vazhdimi i këtyre masave është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Masat e Bashkimit Evropian, aty theksohet se po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e shtetit.

“Këto masa kanë dëmtuar drejtpërdrejt Kosovën dhe qytetarët e saj, e jo politikanët. Si pasojë, një numër i konsiderueshëm projektesh zhvillimore dhe investimesh të rëndësishme kanë mbetur të bllokuara dhe të parealizuara, duke penguar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve publike”.

Nga LDK potencojnë se pushteti lokal në komunat Veriore tashmë është transferuar dhe konsiderojnë se “është plotësuar kriteri i vendosur nga BE-ja”.

Ata i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian “që të marrë vendim për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, në përputhje me parimet e drejtësisë, proporcionalitetit dhe partneritetit”.

“Republika e Kosovës meriton trajtim të drejtë dhe mbështetje konkrete në rrugëtimin e saj evropian!”.