Vjosa Osmani, presidentja e vendit, i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për të adresuar krizën me paga të punëtorëve të RTK-së, pas një letre që ka marrë nga Sindikata e Pavarur e këtyre të fundit.

“Po ju drejtohem me këtë letër pas pranimit të një shkrese nga ana e Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, përmes të cilës jam informuar se aktualisht mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga, si pasojë e mos formimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në kuadër të legjislaturës së re të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka nisur letrën presidentja Osmani.

Osmani, nëpërmjet Bashës, ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit që të gjejnë kompromis dhe të formojnë së paku komisionet e përhershme, pjesë e të cilëve është edhe ai për Buxhet dhe Financa, përgjegjës për procedimin e mjeteve për RTK-në

“Për këto arsye, përmes kësaj letre ju bëj thirrje të gjithë grupeve parlamentare të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të gjejnë kompromisin e duhur për formimin e këtij komisioni sa më parë të mundësohet zgjidhja, e cila do të kontribuonte drejt stabilitetit financiar dhe institucional të punëtorëve të RTK-së”, shkruan Osmani në letrën drejtuar Bashës.

Kërkesa e presidentes Osmani ndaj Bashës vjen në një kohë kur ndarjet pozitë dhe opozitë janë ende të pacaktuara e ende nuk është formuar Qeveria e re.

Letra e presidentes Osmani drejt kryetarit të Kuvendit Dimal Basha