Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i është drejtuar me një letër zyrtare Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes së cilës kërkoi që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Në këtë letër, Kryetari Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik”, kanë njoftuar nga PDK-ja.

Mosveprimi në këtë fazë, sipas PDK-së, “do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend”.

Hamza i ka bërë thirrje Osmanit që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, “duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së”.

Letra e Hamzës për Osmanin.

Osmani ka emëruar 9 anëtarë të rinj në KQZ, të propozuar nga partitë politike parlamentare, nga 10 sa duhet.

KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë. 10 prej tyre janë propozime të partive politike parlamentare dhe Kryetari. Gjashtë nga anëtarët emërohen pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një emërohet nga deputetët e komunitetit jo shumicë serb, dhe tre të tjerët nga deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serbe.

Por, deri më tani Presidentja ka emëruar vetëm nëntë. Ajo i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime pasi që partitë kishin propozuar anëtarë më shumë seç duhet, por të hënën, Kushtetuesja e shpalli të papranueshme kërkesën e saj.

Po “luftohet” për një vend në mes të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Vetëvendosja i ka propozuar tre anëtarë, dy prej të cilëve janë emëruar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar dy anëtarë – Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn – vetëm i pari i është emëruar.

Duke pasur këto propozime, Osmani kishte kërkuar udhëzime nga Kushtetuesja sesi të veprojë, pasi që VV po pretendon se i takojnë tre anëtarë, ndërsa PDK-ja dy, por akti më i lartë juridik nuk ia pranoi kërkesën.

Nga një anëtar i janë emëruar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe të tjerët nga komunitetet jo shumicë.