Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar me një letër Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar zhbllokimin e Unazës së Prishtinës, një projekt, të cilin e konsideron si ndër më të rëndësishmit për kryeqytetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në emër të qytetarëve të Prishtinës, kërkoj publikisht që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, këtë projekt nacional ta fus në cilindo cep të “trekëndëshit” Kant, Mill, Aristotel të qeverisjes, por ta zhbllokojë!”, shkroi Rama në Facebook.

Ai ka kërkuar që menjëherë të zhbllokohen gjitha pengesat administrative dhe institucionale që thotë se po e pengojnë realizimin e Unazës së Prishtinës dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme.

Për më shumë se katër vjet, thekson ai, realizimi i këtij projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror, “pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës. Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e kryeqytetit dhe po cenon seriozisht interesin publik”.

Unaza e Prishtinës, thotë Rama, nuk është një projekt politik. “Nuk i shërben një partie apo një mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit, ekonomisë, mobilitetit urban dhe cilësisë së jetës së qytetarëve. Vazhdimi i bllokimit dëmton interesin publik dhe e penalizon padrejtësisht Kryeqytetin për shkak të moskoordinimit institucional”.

“Ky projekt nuk është vetëm një nevojë urbane për lehtësimin e trafikut dhe rritjen e funksionalitetit të qytetit, por edhe një investim strategjik me rëndësi kombëtare dhe rajonale”, tha Rama.

Është koha, shton ai, që interesat e qytetarëve të vendosen mbi çdo kalkulim politik. “Është koha që Unaza e Prishtinës të zhbllokohet”.

Rama theksoi se projekti i Unazës së Kryeqytetit është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë totale prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40% janë fonde grant, respektivisht deri në 82.4 milionë euro mjete të pakthyeshme.

“Këto fonde janë të kushtëzuara me afate të qarta kohore dhe çdo zvarritje institucionale rrezikon drejtpërdrejt humbjen e tyre”, njoftoi ai.

Ai theksoi se gjatë fushatës zgjedhore, vetë Kurti kishte bërë thirrje për zhbllokimin e këtij projekti, “duke e pranuar rëndësinë e saj strategjike dhe kombëtare”.

“Sot, pas shprehjes së qartë të vullnetit demokratik të qytetarëve të Prishtinës, ekziston edhe mandati institucional për ta çuar këtë projekt përpara pa vonesa të mëtejshme”, pohoi ai ndër të tjera.