Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar me një letër zyrtare Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përmes së cilës kërkuan që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Siç është theksuar edhe më herët nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, përfaqësimi ynë me dy anëtarë në KQZ nuk është çështje e interpretimit politik, por një e drejtë që buron nga dispozitat kushtetuese. Në këtë kuadër, vlerësojmë se është me rëndësi të veprohet në përputhje me këtë përcaktim, duke garantuar funksionimin e rregullt dhe kushtetues të institucioneve”, thuhet në letrën e PDK-së.
“Në cilësinë tuaj si U.D. Presidente dhe garantuese e rendit kushtetues, kërkojmë t’i ushtroni kompetencat tuaja në përputhje me Kushtetutën, me qëllim të procedimit pa vonesë të këtij emërimi”, theksohet tutje.
Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte emëruar 9 anëtarë të rinj në KQZ, të propozuar nga partitë politike parlamentare, nga 10 sa duhet.
KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë. 10 prej tyre janë propozime të partive politike parlamentare dhe Kryetari. Gjashtë nga anëtarët emërohen pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një emërohet nga deputetët e komunitetit jo shumicë serb, dhe tre të tjerët nga deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serbe.
Por, ish-Presidentja Osmani emëroi vetëm nëntë. Ajo i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime pasi që partitë kishin propozuar anëtarë më shumë seç duhet, por Kushtetuesja e shpalli të papranueshme kërkesën e saj.
Po “luftohet” për një vend në mes të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëvendosja i ka propozuar tre anëtarë, dy prej të cilëve janë emëruar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar dy anëtarë – Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn – vetëm i pari i është emëruar.
Duke pasur këto propozime, Osmani kishte kërkuar udhëzime nga Kushtetuesja sesi të veprojë, pasi që VV po pretendon se i takojnë tre anëtarë, ndërsa PDK-ja dy, por akti më i lartë juridik nuk ia kishte pranuar kërkesën.
Nga një anëtar i janë emëruar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe të tjerët nga komunitetet jo shumicë.









