Partia Demokratike e Kosovës sërish i ka bërë thirrje Kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, që ta thërrasë seancën konstituive.
Kërkesa e tyre është që ajo të thirret të premten, më 14 gusht, në orën 11:00.
Sipas deputetit të zgjedhur të kësaj partie, Përparim Gruda, kjo kërkesë është bërë për respektimin e Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Ne kemi dorëzuar këtë kërkesë për të kërkuar respektimin e Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit. Ju tashmë e dini që afati për konstituimin e Kuvendit ka kaluar. Është shkelur Kushtetuta, është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, siç ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shkelja e afatit ose kalimi i afatit për konstituim nuk e shuan detyrimin që kemi ne si deputetë për ta konstituar Kuvendin, qoftë edhe pas afatit kushtetues, sepse Gjykata ka thënë që mosrespektimi i afatit nuk e shpërndan Kuvendin”, tha Gruda para mediave.
Kjo konferencë u mbajt pasi anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës tentuan të hyjnë në objektin e Qeverisë, nga ku thanë se Albin Kurti po “uzurpon” zyrat e Qeverisë dhe se ai duhet të jetë në Kuvend për ta konstituuar këtë institucion dhe për të formuar Qeverinë.









