Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale që të lëshohet urdhërarrest ndaj kriminelit Milan Radojeçiç dhe ndaj 10 personave të tjerë.

Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale përmes një përgjigje me shkrim për VOX-Kosova tha se urdhri është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që po ndërmerren në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në 2022-n.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiç. Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022”, theksoi Luta.

Pos Radojiçiç-it, PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë dhe se autoritetet po i hetojnë rreth 50 persona për veprat penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, “thirrje për rezistencë” dhe “bashkim për veprimtari kundër kushtetuese”.

Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, e ku si pasojë në fshatin Banjskë të Zveçanit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.