“Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”.

Kështu ka thënë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, derisa ka kritikuar pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat në Tiranë, ku po kërkohet dorëheqje e Ramës.

Rama kërkoi që të mos spekulohet në asnjë formë se kritikat e tij për protestuesit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke qenë se disa zyrtarë të Vetëvendosjes nga Shqipëria dhe Kosova po marrin pjesë dhe po e përkrahin protestën kundër tij.

“Dhe mos të spekulojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrsesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata”, shkroi ai.

Rama theksoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë në tokë të huaj, “së bashku me maqedonasit e veriut ata janë popull shtetformues në tokën e tyre në shtetin fqinj!”.

Diasporë, thekson ai, janë mërgimtarët në vende të huaja, “jo ata dhe as shqiptarët e Kosovës jo e jo, të cilët kanë shtetin e tyre të pavarur”.  

“Kur ushtarët e verbër të karvaneve politike nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si ‘diasporë’, me flamuj kombëtarë që bëhen dekor i një farse të tillë dhe me plisa të bardhë që nxihen prej një marreje si kjo, ata janë thjesht viktima të zellshme që nuk ia bëjnë dot vetes një pyetje të thjeshtë:..”.

“Brengoset apo gëzohet kush i do shqiptarët në sherr e në rrëmujë, kur e sheh këtë “diasporë” të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës të turret si një hordhi pushtuese mbi kuaj me katër rrota drejt Tiranës, për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë?”.

Kjo, konsideron kryeministri shqiptar se është një pyetje që “në fakt duhet t’ia bëjnë vetes sponsorët e tyre, të cilët i siguroj se po i harxhojnë paratë vetëm e vetëm për t’i bërë dëm kombëtar e ndërkombëtar imazhit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe vetë Kosovës”.

“Sepse sa për mua dhe qeverinë e Partisë Socialiste duhet të vazhdojnë të paguajnë naftë, ushqim e qeleshe, deri ditën kur mbaron kontrata jonë e pazgjidhshme me 856.177 shqiptarë e shqiptare, brenda e jashtë atdheut. Maj 2029”.

Në protestat në Shqipëri shihet shumë shpesh edhe flamuri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe për këtë Rama pati kritika. Përmendi edhe poezi të Gjergj Fishtës.

“Dhe nuk do të më hiqet kurrë nga mendja përdhosja e flamurit çlirimtar të UÇK-së, duke u ngritur si bajrak urrejtjeje për rrëzimin e qeverisë në Tiranë! Çfarë dhurate për ata që nuk e njohin Kosovën dhe për ata që gjithnjë na kanë përqeshur si një popull pa aftësi shtetbërëse. Bash përdhosës e baltosës kësisoj ia kanë sjellë në majë të pendës edhe Atit të Shqiptarisë, Gjergj Fishtës:…”.

“Ju rrugaça e sallahana,

vagabonda shakllabana,

rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij,

qi të mjerës moj Shqipni

kthelltë hi i keni n’mushkni…”.

Protestat në Shqipëri kanë filluar që 21 ditë. Ato po mbahen çdo ditë nga ora 18:00.

Qytetarët e Shqipërisë po protestojnë për të kundërshtuar projektin për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës, në rrethinën e Vlorës.

Protestuesit po kërkojnë edhe dorëheqjen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.