Doarsa Kica-Xhelili, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se Kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçi, duhet t’i ngritet aktakuzë, pasi që, siç thekson ajo, ka lëndë të gatshme për të.

Këto komente, Kica-Xhelili i bëri nga holli i Kuvendit, pasi VOX Kosova publikoi audio-incizimet në të cilat, Thaçi tregon se si, së bashku me Kryeministrin Albin Kurtin, kanë kurdisur konkurse pune në kohë zgjedhjesh në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Nga ajo që dëgjova ne kemi lëndë të gatshme për prokurorë. Krejt çka duhet është një aktakuzë që nuk ish dashtë me e marrë kohën që i kërkohet me ligj që është rreth dy vite. Për dy muaj kjo lëndë ish dashtë me qenë e konkluduar dhe me u ngritë aktakuza. Po shpresoj që ka me pasë aktakuzë, sepse më së paku që do të duhej të bënte ai është të jap dorëheqje nga posti i Kryetarit të Komunës”, tha Kica-Xhelili.

Derisa e ka krahasuar audio-incizimin e Thaçit me aferën “Pronto”, deputetja e LDK-së ka theksuar se standardi i luftimit po ndryshon varësisht se kush është në pushtet.

“Unë po e shoh që standardi i luftimit të nepotizmit ndryshon varësisht ku është në pushtet. Sepse, nga afera “Pronto” kur skandalizohej turma rrugëve, protestat, kemi dalë në një justifikim të një skandali krejt tjetër që ka të bëjë me KEK-un”.

Kica-Xhelili adresoi kritika edhe ndaj Prokurorisë, për të cilën tha se ka shqetësime serioze në lidhje me efikasitetin e saj.

“Më e pakta që do të duhej është që Prokuroria me u marrë menjëherë me ta, tani që nuk po dëgjoj që ka filluar diçka aktivisht me u marrë, vërtetë kam filluar të kem shqetësime shumë serioze, në raport me efektivitetin e prokurorëve sot”, shtoi ajo.