Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë Bashkimit Evropian se politika e pajtimit të diktatorëve nuk sjellë paqe afatgjate në një deklaratë për mediat ndërkombëtare para hyrjes në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë të Danimarkës, derisa po fliste për rrezikun që përbëjnë Rusia dhe Serbia për vendin që ajo udhëheqë dhe jo vetëm.

“Për Bashkimin Evropian, dua të them se historia ka treguar se politika e qetësimit të diktatorëve nuk sjell kurrë paqe afatgjatë. Përkundrazi, gjithmonë ka inkurajuar përdorimin e më shumë dhunës”, tha Osmani.

Për këtë arsye, thirrja e Kosovës, Presidentja tha që është “që të jenë shumë të kujdesshëm me mënyrën si trajtohet përfaqësuesi i Rusisë në rajonin tonë, Serbia, dhe të mos e qetësojnë deri në atë pikë sa ajo të vazhdojë të përdorë dhunë”.

“Ne sapo përkujtuam dyvjetorin e aktit të agresionit të Serbisë kundër vendit tim, në veri të Kosovës. BE-ja ka bërë thirrje vazhdimisht për llogaridhënie, por ka pasur zero llogaridhënie. Tani është koha që të kalojnë nga fjalët në vepra”, shtoi.

Pas këtyre deklaratave, Osmani u pyet nga një gazetar nëse BE-ja janë hipokritë, por tha se se “jo, nuk po them që janë hipokritë”, dhe se mendon se “kanë qëllime të mira”.

“Por është e rëndësishme që të gjithë të mësojnë nga historia. Historia, veçanërisht mënyra si është trajtuar Putini, na tregon se politika e qetësimit ndaj njerëzve si ai nuk sjell paqe të qëndrueshme. Vuçiç ka tentuar të kopjojë Putinin duke përdorur agresion dhe taktika destabilizimi ndaj fqinjëve”, potencoi e para vendit.

Për këtë arsye, në vlerësimin e saj, është shumë e rëndësishme që vendet e BE-së “të kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin me Rusinë nuk është rruga e duhur”. “Vendet që janë 100% të përafruara me BE-në duhet të shpërblehen, jo ato që kanë zgjedhur Moskën si rrugë të tyre”.