Qëndrimet e Donika Gërvallës për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i dimë. Janë kristal të qarta.

Prej pasluftës, e deri sot, ajo nuk ka pauzuar nga sulmi brutal kundrejt komandantëve të luftës në veçanti, e UÇK-së në përgjithësi.

Por, një letër e kryediplomates në detyrë, e shkruar në fund të 2015-ës, e destinuar për atëherë kancelaren gjermane, Angela Merkel, kristalizon edhe qëndrimet e saja për Vetëvendosjen dhe rikonfirmon arrogancën ekstreme ndaj ndërkombëtarëve.

“Mos na jepni mend” – janë fjalët, me të cilat Donika Gërvalla i drejtohej atë kohë gruas më të fuqishme në Evropë…dhe nuk mjaftohej me aq.

I thoshte, se Evropa ka bashkëpunuar me kriminelë në Kosovë dhe i ka forcuar ata.

Për Vetëvendosjen, pra opozitën e atëhershme, i thoshte se kanë qëllime kriminale, korrutive dhe nacionaliste.

“Unë dëshiroj që t’ju bëj me dije: Ajo që po ndodh në Prishtinë nuk po ndodh në emrin tim. Kjo qeveri por edhe kjo opozitë: ata nuk flasin në emrin tim. Ata ndjekin interesat e tyre dhe janë të gatshëm ta sakrifikojnë vendin për interesat e tyre kriminale, korrupte apo nacionaliste”, shkruante ajo.

Ndonëse e shkruar për kancelaren Merkel, kjo letër, nuk dihet nëse ishte dërguar ndonjëherë në adresë të saj.

Gjashtë vjet pas, Gërvalla do të ulej si kryediplomate në një tavolinë me të bashkë me shefin e saj, Albin Kurtin.

Mbetet mister, përse Gërvalla nuk u ndëshkua për këtë fjalor, ndryshe për shembull nga ish-zëvendësministri Arbër Vokrri, i cili për shumë më pak u shkarkuar.

Ju kujtohet kur Vokrri shkroi se e kishte me dëshmi “që pala ndërkombëtare kishte nxitur vetë trazirat në veri”.

Natyrisht. Komentet ishin të rënda. Por, Vokrri ishte zv/ministër në një dikaster që nuk lidhet me politikën e jashtme. Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në anën tjetër, Gërvalla u shpërblye nga Kurti, madje u dekorua me lëvdata.

Kurti ka këto fjalë për Gërvallën, përkundër se ajo edhe për partinë e tij ka gjuhën më të ashpër, duke e cilësuar Vetëvendosjen si një grup me qëllime kriminale.

Atëherë, çka e mban Kurtin kaq të lidhur për Gërvallen?

Kjo është pyetja.