Kur studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut protestuan në fillim të prillit që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk e tha asnjë fjalë, ndërsa të shtunën, ai, i shoqëruar nga Kryeministri maqedonas, Hristjan Mickoski, është duke marrë pjesë në Kongresin e koalicionit VLEN – përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut – ku do të shkrihen me një parti.

VLEN përbëhet nga disa parti shqiptare në Maqedoni të Veriut: Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Alternativa e Zeqirja Ibrahimit dhe një pjesë e Aleancës për Shqiptarët. Nga kjo e shtunë, VLEN do të funksionojë si një parti, e cila do t’i ketë dy kryetarë.

Kurti kishte qenë një nga katalizatorët në krijimin e këtij koalicioni, të cilët së bashku kishin garuar në zgjedhjet parlamentare të majit 2024, duke e sfiduar Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.

Në kampin shqiptar, VLEN nuk kishte arritur që t’i fitojë zgjedhjet, pasi që ishte renditur prapa BDI-së së Ahmetit.

Megjithatë, ata u bënë pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Mickoski i VMRO-DPMNE-së, duke shkelur kështu traditën që fituesi në kampin shqiptar bëhet pjesë e Qeverisë me fituesin në kampin maqedonas.

Gjatë kohës kur VLEN është në Qeveri, ka pasur vazhdimisht kritika ndaj ekzekutivit të Mickoski-t për qasje antishqiptare.

Por, përkundër kësaj, Kryeministri Kurti nuk e ka thënë asnjë fjalë, përkundrazi, ai, në një konferencë të përbashkët për media me Mickoski-n në Prishtinë, në nëntor të 2024-së, kishte thënë se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni të Veriut.

Kurti nuk foli as për protestën e studentëve, të cilët kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, dhe kështu të ndalet diskriminimi institucional dhe të zbatohet Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, duke u thirrur në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.