Me diferencë të ngushtë mes atyre që donin largimin e tij dhe atyre që donin qëndrimin e tij, megjithatë Lumir Abdixhiku i mbijetoi votëbesimit të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke u rikonfirmuar si Kryetar i partisë më të vjetër në vend.

Në votim të fshehtë, të shtunën, 164 delegatë të LDK-së thanë po, Lumir Abdixhiku duhet të qëndrojë Kryetar i partisë edhe përkundër rezultatit katastrofal në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit. 136 të tjerë shprehën vullnetin e tyre për largimin e Kryetarit aktual, por që ishte e pamjaftueshme. Pjesa tjetër peshonte më rëndë.

Në nisje të Kuvendit, në ora 12:00, Abdixhiku mbajti një fjalim tejet të gjatë, rreth një orë, ku edhe mori përgjegjësinë që e solli LDK-në në 13 për qind, por në të njëjtën kohë edhe kritikoi të gjithë ata që i kishin kërkuar dorëheqjen si akt përgjegjësie ndaj humbjes në zgjedhje.

Edhe pse nuk ua përmendi direkt emrat, ai sulmoi Hykmete Bajramin dhe Avdullah Hotin. Ai pretendoi se kërkesa për dorëheqje ka pasur një evoluim, sipas tij, të çuditshëm, pasi që theksoi se fillimisht iu kërkua pastaj iu kthye gjoja në ultimatum.

“Dorëheqja më është kërkuar kur i kemi rritur 70 mijë vota e lëre më tash. Por, kishte një evoluim të çuditshëm dhe jokonsistent në këtë kërkesë. Fillimisht, nuk u mjaftonte paralajmërimi për dorëheqje të ofruar në Kuvend, u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. ‘Ik, lësho vend’, mu tha. Më pas, ajo kërkesë u shndërrua në ultimatum. Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa e dhanë, ndonëse e tëra çfarë kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim. Këtu pra. Në këtë Kuvend”, tha Abdixhiku.

Nga ana tjetër, nuk përmendi faktin se pikërisht ai evoluoi sa i përket çështjes së dorëheqjes. Kur doli për herë të parë pas zgjedhjeve, në orët e vona të 28 dhjetorit, në gjendje të rënduar ai tha se ka nevojë që të kalojë kohë me vajzat e tij dhe u shpreh i gatshëm edhe të japë dorëheqje si akt i përgjegjësisë politike.

Por, më pas ai theksoi se e ofron dorëheqjen dhe tha se ua lë në dorë delegatëve të Kuvendit të partisë fatin e tij si Kryetar i LDK-së. Madje, filloi sulmet e ashpra ndaj të gjithë atyre që i kërkonin përgjegjësi për rezultatin e dobët në zgjedhje.

Në fjalën e tij, pasi që u rikonfirmua si Kryetar, Abdixhiku ngriti dyshime se rezultati i votëbesimit ndaj tij ka mundur të ketë qenë i kurdisur. Kjo për shkak se e pohoi me gojë të vetë se po të donte do ta bënte diferencën sa të donte.

“S’ka rëndësi rezultati se po të donim do ta bënim edhe 90%, po ka qenë i lirë, demokratik, pa angazhim të Kryetarit të partisë për të mbledhur ose jo mbështetje”, deklaroi ai.

Pasi e mori besimin e pak më shumë se gjysmës së delegatëve, Lumir Abdixhiku foli edhe për një temë tjetër të rëndësishme. Atë të Presidentit, i cili duhet të zgjidhet muajin e ardhshëm. Për këtë temë, Kryetari i LDK-së u shpreh i gatshëm të flasë me spektrin politik.

“Jam i gatshëm të flasë me të gjithë spektrin politik për t’i dhënë zgjidhje çështjes shumë të rëndësishme të Presidentit, i cili duhet të jetë konsensual edhe duhet të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Pasi që e kaloi votëbesimin, nuk pati kundërshtime nga askush.

Njëra nga kritikët që Abdixhiku e sulmoi, Hykmete Bajrami, e cila kishte kërkuar edhe publikisht dorëheqjen e parevokueshme të tij, tha se e respekton vendimin e Kuvendit të LDK-së.

“E kam thënë edhe më herët, po e përsëris prapë: LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh. E respektoj vendimin e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha shkurt Bajrami për gazetarë.

Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur Kryetar i LDK-së më 14 mars 2021. Kjo pasi që Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga drejtimi i LDK-së pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Abdixhiku ka udhëhequr dhe ka qenë kandidat i LDK-së për Kryeministër në dy palë zgjedhje nacionale. Në ato të 9 shkurtit 2025, ku kishte arritur që ta ngritë pak partinë (nga rreth 13 në 18 për qind), dhe në ato të 9 shkurtit 2025, ku e riktheu në rezultatin e 14 shkurtit 2021, në 13 për qind e me vetëm 15 deputetë.