Avni Bytyqi, anëtari i ekipit mbrojtës të ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ka thënë se Kryeministri i vendit, Albin Kurti, përmes deklarimit të kësaj të enjtjeje, “ka legjitmuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara”, të cilat siç shprehet ai “në mënyrë brutale, kanë përndjekur krerët e UÇK-së, kanë kriminalizuar luftën çlirimtare dhe, mbi të gjitha, e kanë vendosur UÇK-në në të njëjtën peshore me forcat paramilitare serbe në Kosovë”. Në këto rrethana, Bytyqi ka pyetur Kurtin nëse “dënimi është për përgjegjësi individuale, a do të thotë kjo se Rexhep Selimi i ka kryer personalisht krimet e mëposhtme?”.
“Asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk e gjykon një shtet apo një organizatë si të tillë në një procedurë penale. Nuk ka përgjegjësi kolektive dhe shtetet nuk gjykohen penalisht. Që nga Gjykata e Nurembergut e tutje, individët janë dënuar për përgjegjësi individuale, për veprimet e tyre në emër ose në kuadër të këtyre organizatave dhe shteteve”, shkroi Bytyqi.
Bytyqi thotë se edhe në aktgjykimin e kriminelit serb, Ratko Mlladiq, përdoret e njëjta fraezeologji – “individual criminal responsibility”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë këtë të enjte (1 tetor) se aktgjykimi i Gjykatës Speciale që dënoi me 81 vjet burg krerët e UÇK-së, në thelb ka tri lajme të mira.
“Në këtë aktgjykim janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht. E para, pretendimet për të ashtuquajturën shtëpi të verdhë dhe për trafikimin e organeve as nuk bëhen pjesë e aktakuzës”, tha.
“E dyta, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme gjoja sistematike kundër popullsisë civile, u rrëzuan”, shton.
“Dhe e treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, tha Kurti në një konferencë për media me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.









