Albin Kurti ka zgjedhur të bëjë spektakël politik me para.
Eurot janë bërë kryefjalë e fjalimeve të tij elektorale – të cilat i nxjerr njëra pas tjetrës, me një ritëm të pandalshëm, teksa performon sipër podiumeve.
Është ky një “ledhatim monetar” – me të cilin ai tenton ta fshehë gjendjen faktike në Kosovë – ku ekonomia është në krizë dhe qytetarët sfidohen, muaj pas muaji, për ta përballuar koston e jetesës.
“Bukë dhe cirk” është shprehja që ka përshkruar pushtetet në Perandorinë Romake, që përmes grurit falas, shtesave dhe spektaklit me gladiatorë, ruanin fuqinë udhëheqëse.
Në këtë mënyrë, në mes të krizave, ata blinin qetësinë qytetare – duke shmangur përgjegjësinë, debatet serioze dhe reformat e thella që siguronin zgjidhje afatgjata të problemeve.
Kështu ngjan, pak a shumë, edhe përpjekja e Albin Kurtit për ta mbajtur pushtetin.
Në mes të një krize të rritjes së çmimeve në produkte bazë e faturave të rrymës, të një deficiti tregtar në ngjitje – ku miliardat shkojnë në import, një krize energjetike me reduktime që po sakaton bizneset dhe jetën e përditshme, një drejtësie të sulmuar, arsimi të harruar, shëndetësie të sëmurë dhe fuqie punëtore që largohet nga vendi – Kurti ka zgjedhur të bëjë show me euro.
Që nuk janë asgjë tjetër, pos një qetësues i dhimbjes, por jo shërues i sëmundjes.
Ky spektakël politik i Kurtit ka një synim: largimin e vëmendjes nga problemet e mëdha ekonomike dhe fushat e tjera, si dhe sigurimin e biletës për edhe një mandat qeverisës.
Duke e trajtuar buxhetin si të ishte njëfarë kasaforte personale, fjalitë e tij ndërtohen me euro, e jo me politika që rregullojnë problemet e vërteta dhe strukturore të qytetarëve.
Shtesat nuk janë një infuzion për ekonominë që rrit prodhimin, siguron pavarësi energjetike apo eliminon reduktimet, dhe as nuk garantojnë se shteti siguron gjithmonë barnat esenciale.
Janë thjesht një tregtim faturash.
Ato që t’i jep, t’i merr pastaj me shtrenjtim enorm të kostos së jetës – në faturat e rrymës dhe në produktet bazike.
Këto shifra janë një prezantim abstrakt që shmangin realitetin – për të cilat Kurti nuk ofron asnjë argument ekonomik, ligjor ose strategjik që t’i mbështesë.
Nuk ka diskutim për arsyeshmërinë e tyre.
Nuk ka analizë për efektin që do të kenë në jetën e qytetarëve ose në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
Ai nuk ka guximin të sfidohet për vlerën reale dhe afatgjate të këtyre shifrave.
Ai, thjesht, ua ofron qytetarëve një tubim spektakolar – ku eurot hidhen në ajër si në dasma.
Këto performanca, me numra që s’kanë kuptim, i gjejmë si replika edhe te liderë të tjerë autoritarë.
Në të vërtetë, Kosova është në një gjendje të vështirë ekonomike – që ka ardhur pikërisht nga injorimi i problemeve strukturore dhe performimi i zgjidhjeve të përkohshme e populiste.
Deficiti tregtar afër 6 miliardë euro, çmimet e energjisë që janë rritur 30 % dhe paralajmërimet për një rritje tjetër në 2026; çmimet e konsumit që kanë shënuar rritje prej 5,4 %, importi i energjisë prej 1 miliard euro dhe mbi 140 mijë qytetarë të larguar nga vendi, janë shfaqja e hidhur që po përjeton Kosova.
Eurot nëpër fjalimet e Albin Kurtit nuk e rregullojnë këtë gjendje, nuk e rrisin prodhimin, nuk e ulin varësinë nga importi dhe nuk e ndalin largimin e të rinjve nga Kosova.
Ky është një “Bukë dhe cirk” modern: spektakël me tubime, para dhe premtime, ndërsa problemet thelbësore e thellojnë krizën.








