Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ka proceduar në Kuvend ndryshimet kushtetuese që mundësojnë votimin e drejtpërdrejtë nga qytetarët për postin e kreut të shtetit.
“Sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011”, ka bërë të ditur vetë presidentja në një postim në Facebook.
Osmani ka ftuar të gjitha partitë politike që të votojnë për këto ndryshime të Kushtetutës.
“Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka përfunduar e para e vendit, pak kohë para se të mbyllet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.









