Duke qenë se Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale i dënoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në emër të popullit të Kosovës, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka kërkuar që të organizohet një referendum për këtë çështje dhe populli i Kosovës ta thotë fjalën e tij.

“Përderisa janë dënuar në emër të popullit të Kosovës, le të organizohet një referendum në Kosovë. Le ta thotë fjalën e vetë populli. Le t’i përgjigjet populli kësaj gjykate që ka dënuar bijtë e këtij populli në emër të këtij populli. Këta bijë kanë qenë luftëtarë, çlirimtare dhe në procese tepër të rëndësishme, deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës”, tha Ahmeti në një intervistë për Top Channel.

Ahmeti gjithashtu kërkoi që Kosova dhe Shqipëria të ndërmarrin veprime konkrete – posaçërisht në diplomaci – për të kundërshtuar vendimin dënues ndaj krerëve të UÇK-së.

“Nuk duhet të mbetemi në vaj duke vajtuar, por të shohim se si duhet të veprojmë dhe të arrijmë deri tek e vërteta. Në aksione duhet të hidhemi konkretisht, në diplomaci. Dhe këtë punë më së miri mund të bëjë Shqipëria, ka resurse, ka ekipe. Të hidhet Kosova në diplomaci”, deklaroi ai.

Në një vendim skandaloz, Gjykata Speciale ka dënuar të dielën e 16 shtatorit me rreth 1 shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë dënuar me 81 vjet burgim gjithsej.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.

Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.