Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, foli për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se mbajtja e tyre në Hagë përbën fyerje dhe paragjykim ndaj luftës së pastër të UÇK-së.

“E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të ndryshohet, sepse liria ka emër. Republika e Shqipërisë është me UÇK-në, me komandantët dhe ushtarët e saj”, deklaroi Begaj.

Ai shtoi se përvjetori i 18-të i Pavarësisë është dëshmi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe një shtet sovran.

“Sot Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë – momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Në jetën e një shteti, ky përvjetor është dëshmi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Kosova ishte vendi ku liria vritej; sot është vendi ku liria funksionon dhe frymëzon. Është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh e meritash. Ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes, pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua”, u shpreh Begaj.