Christian Schmidt ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si Përfaqësues i Lartë Ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë.
“Pas gati pesë vitesh si Përfaqësues i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, një mandat i bazuar në Aneksin 10 të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, Christian Schmidt ka marrë vendimin personal për të përmbyllur shërbimin e tij në zbatimin e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se Schmidt ka informuar Bordin Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes për vendimin e tij dhe ka kërkuar që të fillojnë punën për gjetjen e një pasardhësi të tij.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë të shërbejë si Përfaqësues i Lartë gjatë kohës që zhvillohet procesi i përzgjedhjes së pasardhësit.
“Duke reflektuar mbi mandatin e tij – mandati i dytë më i gjatë i çdo Përfaqësuesi të Lartë – është arritur progres i rëndësishëm në funksionalizimin më të madh të institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës”.
Megjithatë, aty potencohet se duhet bërë edhe më shumë nëse Bosnje e Hercegovina synon të realizojë aspiratat e saj euroatlantike.
“Edhe pse Christian Schmidt kishte shpresuar që përfundimi i mandatit të tij të përkonte me përmbushjen e suksesshme të agjendës ‘5+2’ dhe mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), reformat kritike ende nuk janë zbatuar nga Bosnje e Hercegovina, prandaj puna e OHR mbetet thelbësore”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe liderëve nga të dy entitetet dhe të gjitha nivelet e qeverisjes që të shtojnë përpjekjet dhe të punojnë së bashku me pasardhësin e tij për zbatimin e këtyre reformave dhe për progres në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
Schmidt ishte konfirmuar nga Qeveria e Gjermanisë për Pozitën e Përfaqësuesit të Lartë në BeH në janar të vitit 2021.
Ai e pasoi në këtë post Valentin Inzkon, diplomat austriak, i cili ishte emëruar në krye të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në vitin 2009.
Pozita dhe funksioni i Përfaqësuesit të Lartë në BeH ishte krijuar në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila ishte arritur më 21 nëntor 1995, ku i kishte dhënë fund luftës në BeH.
Përfaqësuesi i Lartë ka kompetenca për interpretimin përfundimtar të Marrëveshjes së Dejtonit.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BeH, në bazë të konstatimeve të Konferencës për Zbatimin e Paqes, e cila ishte mbajtur në Bon më 9-10 dhjetor 1997, ka kompetenca të veçanta që i lejojnë të vendosë dhe ndryshojë ligje, të ndryshojë Kushtetutën në BeH, si dhe të shkarkojë zyrtarë të zgjedhur ose të emëruar.
Aty është krijuar edhe Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes, i cili funksionon nën drejtimin e Përfaqësuesit të Lartë.
Por, ai nuk mund të marrë vendimi pa pajtimin e vendeve anëtare të këtij bordi. Vendet anëtare të këtij bordi janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja, Japonia, Bashkimi Evropian, si dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e cila në PIC përfaqësohet nga Turqia.
Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes do ta emërojë Përfaqësuesin e ri të Lartë, i cili më pas duhet të konfirmohet edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Gjatë kohës kur Schmidt ka qenë Përfaqësues i Lartë, ai është përballur me kundërshtime të ashpra nga ish-Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – etniteti serb në BeH – Millorad Dodik.









