Të paktën 10 avionë furnizues me karburant të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u larguan të hënën nga një bazë e dytë ajrore në Britani të Madhe.

Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve, të shqyrtuara nga BBC Verify, tregojnë se avionët u larguan nga baza RAF Mildenhall në Suffolk dhe u drejtuan drejt bazave të tjera amerikane në Evropë, si dhe drejt aeroportit Prestwick në Ayrshire të Skocisë.

Wall Street Journal raportoi se ky veprim ishte ndërmarrë si përgjigje ndaj një kërcënimi nga Irani, por BBC-ja nuk ka arritur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim.

Largimet e së hënës vijnë disa javë pasi SHBA-ja tërhoqi bombarduesit e saj nga baza ajrore RAF Fairford, pas një incidenti të dyshuar të sigurisë, të lidhur me Iranin.

I pyetur për fluturimet e së hënës, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë i tha BBC-së: “Ne nuk komentojmë në mënyrë rutinore aktivitetet e vendeve të tjera. Avionët dhe asetet e tjera zhvendosen rregullisht, në përputhje me kërkesat operacionale”.

Përmes platformës publike të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, BBC Verify ka arritur të vëzhgojë avionët furnizues KC-135 të Forcave Ajrore Amerikane duke u larguar nga Mildenhall gjatë gjithë së hënës.

Dy avionët e parë u drejtuan fillimisht drejt bazave amerikane në Gjermani dhe Itali. Avioni i parë KC-135 u kthye në Mildenhall, përpara se të nisej përsëri drejt lindjes dhe të ulej në bazën ajrore Spangdahlem në Gjermani. Avioni tjetër, pasi kreu disa fluturime rreth bazës ajrore Aviano në Itali, vazhdoi drejt Spangdahlem-it, ku edhe u ul.

Të dhënat e gjurmimit të fluturimeve tregojnë gjithashtu se tetë avionë të tjerë amerikanë KC-135 u larguan nga Mildenhall më vonë gjatë së hënës.

Një avion që u ul të hënën në Prestwick të Skocisë i përket Gardës Kombëtare Ajrore të Nebraskës, çka nënkupton se mund të ketë ndaluar përkohësisht, sipas një rutine të zakonshme, përpara se të kthehej në bazën e tij në SHBA.

Downing Street ka këmbëngulur se bazat ajrore britanike janë të sigurta, pas vendimit të SHBA-së për të zhvendosur disa avionë ushtarakë në lokacione të tjera në Evropë.

Zëdhënësi zyrtar i Kryeministrit britanik tha se “mbrojtja e bazave tona, si në Britani ashtu edhe në mbarë botën, është prioriteti ynë kryesor dhe ne punojmë ngushtë me policinë dhe aleatët tanë për të mbrojtur objektet tona”.

Rreth 3 mijë pjesëtarë të personelit ushtarak janë të stacionuar në RAF Mildenhall, e cila ndodhet rreth 130 kilometra në veri të Londrës.

BBC-ja ka konstatuar se aktualisht ka shumë pak lëvizje avionësh në këtë bazë dhe se nuk duket të jenë vendosur masa shtesë të sigurisë në perimetrin e saj. Hapësirat nga të cilat publiku mund të fotografojë avionët vazhdojnë të jenë të hapura.

Baza përdoret kryesisht për furnizimin me karburant dhe mirëmbajtjen e avionëve. Në të kaluarën, nga kjo bazë janë nisur shpesh edhe fluturime që kanë transportuar presidentë amerikanë, përfshirë Donald Trump-in.

Ajo është përdorur gjithashtu si pikë grumbullimi për avionët dhe pajisjet që dërgoheshin drejt Lindjes së Mesme.

Avionët furnizues me karburant në ajër ishin “vendosur përpara” në rajon gjatë operacioneve kundër Iranit.

E pyetur për largimin e avionëve amerikanë nga RAF Mildenhall, sekretarja britanike e Arsimit, Lucy Powell, tha për emisionin BBC Breakfast se nuk mund të komentonte çështje që lidhen me operacione në zhvillim.

Ajo shtoi se “ne e marrim jashtëzakonisht seriozisht sigurinë dhe mbrojtjen e bazave tona” dhe se “do të veprojmë gjithmonë në bazë të informacioneve të inteligjencës për sigurinë, kur kjo të jetë e nevojshme”.

Një zëdhënës i Forcave Ajrore të SHBA-së tha se avionët e saj “zhvendosen mes instalimeve dhe lokacioneve operative për arsye të ndryshme, përfshirë stërvitjet dhe nevojat reale operacionale”.

“Avionët ushtarakë amerikanë qëndrojnë në bazat pritëse në përputhje me marrëveshjet për qasje, stacionim dhe fluturim mbi territorin e aleatëve dhe partnerëve tanë. Për arsye të sigurisë operacionale, nuk do të japim informacione të mëtejshme për lëvizjen e mjeteve tona”, shtoi zëdhënësi.

Ish-këshilltari britanik për sigurinë kombëtare, Lord Ricketts, tha për programin Today të BBC Radio 4: “Po flasim për një bazë ajrore ku janë të vendosur këta avionë të mëdhenj furnizues me karburant. Natyrisht, ata janë objektiva të mëdhenj. Një bazë ajrore ka një perimetër të gjatë, prandaj është e pashmangshme që të jetë e cenueshme”.

Ai shtoi: “Në këtë fazë, askush nuk e di se çfarë përmbante ky informacion. Dyshoj se një pjesë e këtij veprimi është rezultat i kujdesit të tepruar”.

Përpara se të publikoheshin raportimet për largimin e avionëve nga RAF Mildenhall, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u pyet të hënën për kërcënimet iraniane ndaj diplomatëve amerikanë jashtë vendit.

“Ne e kemi trajtuar këtë çështje duke i larguar njerëzit nga rreziku”, tha ai, duke shtuar se “natyrisht, ne jemi gjithmonë të shqetësuar për sigurinë e personelit tonë dhe familjeve të tyre jashtë vendit. Prandaj, kur shohim diçka që mund të përbëjë një kërcënim potencial përtej një pragu të caktuar, do të ndërmarrim masa për ta trajtuar atë”.

Largimet e së hënës nga Mildenhall vijnë pas një incidenti të sigurisë në RAF Fairford, një bazë ajrore në Gloucestershire që operohet nga SHBA-ja.

Në shtator, u njoftua për një incident madhor pasi pranë kësaj baze u panë tri furgonë të dyshimtë. Më vonë u bë e ditur se SHBA-ja kishte tërhequr bombarduesit nga baza dhe i kishte kthyer në Amerikë.

Dy shtetas britanikë dolën para gjykatës në tetor, në lidhje me një komplot të dyshuar me lidhje me Iranin. Tetë burra janë arrestuar në kuadër të hetimit të policisë kundër terrorizmit.