Bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Rusisë këtë të martë për paqe në Ukrainë dështuan të arrijnë ndonjë sukses, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, rriti kërcënimet para diskutimeve, duke thënë se Rusia është e gatshme për luftë me Evropën.

Bisedimet në Moskë mes emisarit special të presidentit amerikan, Steve Witkoff, dhëndrit të tij, Jared Kushner, dhe palës ruse, erdhën pasi Putin nisi një sërë komentesh kundrejt Evropës, duke thënë se propozimet e tyre për paqe kanë qenë “absolutisht të papranueshme” për Rusinë, si dhe që lidershipi i këtij regjioni nuk e ka pasur paqen në agjendë.

“Ne nuk po hyjmë në luftë me Evropën; e kam thënë qindra herë. Por nëse Evropa papritur dëshiron të na luftojë ne dhe e fillon, ne jemi të gatshëm qysh tani”, u tha Putin gazetarëve para takimit me Witkoff dhe Kushner.

Ndryshe, bisedimet mes rusëve dhe amerikanëve zgjatën për pesë orë, me këshilltarin e Putin, Yuri Ushakov, që u tha gazetarëve që bisedimet ishin shumë të nevojshme, konstruktive dhe tejet informative, por se ende ka shumë punë për të bërë.