Ndonëse në Kosovë qytetarët e Republikës dy herë në ditë po i mbushin sheshet e Prishtinës me thirrje kundër vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë rrugë jashtë vendit.

Në një fotografi të publikuar nga Klan Kosova, ai shihet në aeroportin e Vjenës.

Ndërkohë, Zyra e Kryeministrit njoftoi menjëherë pasi që u publikua fotografia se ai është nisur për një udhëtim në New York.

“Kryeministri do të zhvillojë takime bilaterale me liderë botërorë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi kryesor i takimeve do të jetë promovimi dhe forcimi i vlerave dhe interesave kyçe shtetërore të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në ditën e tretë të protestave, të premten, protestuesit i kanë bërë thirrje Albin Kurtit të shkarkojë ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nga posti i saj, me arsyetimin se ajo nuk ka reaguar akoma për dënimin e tmerrshëm të Speciales dhe për faktin se ajo vetë kishte deklaruar se kishte dërguar dosje në këtë Gjykatë.