Fermerët kosovarë të qumështit kanë reaguar ndaj deputetes Adriana Matoshi, duke i kërkuar publikisht që të tërheqë fjalën “langareca”, me të cilën i ka etiketuar fermerët që protestuan një ditë më parë.

Fermerët thanë se deri më tani kishin vendosur të mos u përgjigjeshin akuzave, por nuk mund të heshtnin përballë gjuhës së përdorur nga një deputete.

“Kjo gjuhë nuk i takon askujt, e hiq më pak një deputeteje si përfaqësuese në Kuvend. Ne i bëjmë thirrje publike ta tërheqë këtë fjalë, pasi po luan me djersën e shumë familjeve”, thuhet në reagimin e tyre.

Fermerët i bënë thirrje Matoshit që, nëse dyshon se në protestë kanë marrë pjesë persona që nuk janë fermerë, t’i identifikojë ata.

“E ftojmë në vizitë te secili fermer që ishte në atë protestë, që ta shohë nga afër aktivitetin dhe punën e tij”, thuhet më tej në reagim.