Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka quajtur “mashtrim” Ligjin e ri për Gjykatën Speciale. Pas deklaratave të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, e cila tha se partia e saj është skeptike mbi rezultatin që do të sjellë i njëjti, Abdixhiku thotë se partia e tij e kishte lajmëruar më herët këtë.
“Ende pa u mbushur 48 orë, qenkan habitur që ligji nuk prodhon efektin juridik që ju premtuan. Që e gjithë kjo nismë e ide ishte veç një mashtrim me emocionet e një populli të lënduar”, shkroi Abdixhiku.
“Po, ju kanë mashtruar! Dhe po, ua kemi thënë!”, shton.
“Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim. Por kur beteja e vogël partiake bëhet më e rëndësishme se përpjekja kombëtare, kur hileqarët marrin zë e tregtarët e mendimit drejtojnë gishtin, kur askush s’guxon të thotë se “mbreti është lakuriq”, atëherë më e lehta është t’i vërsulesh arsyes – mes tradhtarëve që s’janë dhe patriotëve që shtiren”, thotë tutje ai.
Ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale u miratuan të martën e 6 tetorit në Kuvendin e Kosovës.
Të njëjtat nuk u votuan nga Lidhja Demokratike e Kosovës.









