Lidhja Demokratike e Kosovës për më shumë se tre orë ka mbajtur mbledhje me Kryesinë, ndërsa pas përfundimit të saj, kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, iu drejtua publikut në një konferencë për media.

Abdixhiku tha se LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në Qeveri. Ai kërkoi që le t’i mbajë LVV-ja të gjitha.

“Ne heqim dorë edhe nga Presidenti. Ne do të qëndrojmë në opozitë, por jemi të gatshëm të diskutojmë për një President që përfaqëson Kosovën dhe përfaqëson interesat e shtetit”, deklaroi Abdixhiku.

Abdixhiku tha se Kosova po kalon një nga periudhat më të rënda të pasigurisë institucionale, të shoqëruar me tensione dhe gjuhë që nxit urrejtje e ndarje.

“Ndërsa institucionet që duhet të garantojnë stabilitet vazhdojnë të mbesin jofunksionale. Zvarritja dhe tejkalimi i afateve kushtetuese përbëjnë një paqartësi të rëndë kushtetuese.

“Kosova nuk duhet të mbetet peng i ambicieve. Prandaj, përgjegjësia jonë si LDK nuk është të ushqejmë krizën, por të ofrojmë dalje nga kriza.LDK ka hyrë në takime vetëm për t’i dhënë vendit stabilitet dhe për t’i shmangur zgjedhjet. LVV-së ia kemi njohur të drejtën për ta pasur Kryeministrin dhe Kuvendin, ndërsa ne kemi kërkuar Presidentin dhe një pozicion në Qeveri.Fatkeqësisht, përgjigjja e Vetëvendosjes ishte për një prani dekorative, ndërsa na ishin ofruar vetëm tri ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit”, deklaroi Abdixhiku.