Agim Veliu, një nga figurat e dikurshme të larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka folur për mundësinë e përfshirjes së tij në listë për deputetë. Veliu, teksa ka nënkuptuar gatishmërinë e tij për të hyrë në listë, ka thënë se për të është “përgjegjësi dhe respekt ndaj historisë”.

“Është e vërtetë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka ekzistuar pritja që të jem pjesë e listës. Por, pavarësisht vendimeve të padrejta e të dëmshme të asaj kohe, unë kam vazhduar të qëndroj aty ku kam qenë gjithmonë, në shërbim të LDK-së, të qytetarëve dhe të vlerave që kemi kultivuar për më shumë se tri dekada.

Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim; është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite.”

Ai i ka quajtur të padrejta vendimet ndaj tij në të kaluarën dhe e ka cilësuar të padrejtë hapjen e derës së partisë për ata që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së.

“Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite”.

Ky është postimi i plotë i tij në Facebook:

Të dashur qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë

Ditëve të fundit kam parë një debat të gjerë në media, nga anëtarësia dhe shumë aktivistë të LDK-së lidhur me përfaqësimin në listën zgjedhore të 28 dhjetorit.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që me sinqeritet e bindje kanë ngritur zërin për kontributin tim dhe për kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Është e vërtetë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka ekzistuar pritja që të jem pjesë e listës. Por, pavarësisht vendimeve të padrejta e të dëmshme të asaj kohe, unë kam vazhduar të qëndroj aty ku kam qenë gjithmonë, në shërbim të LDK-së, të qytetarëve dhe të vlerave që kemi kultivuar për më shumë se tri dekada.

Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite.

LDK është shtëpia jonë e përbashkët. Ajo është ndërtuar me mund, sakrificë dhe besnikëri nga njerëzit që ishin aty kur ishte më së vështiri dhe që vazhdojnë të jenë aty edhe sot.

Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite.

Respekti për bazën, për themeluesit dhe për kontribuesit afatgjatë nuk është vetëm parim, është detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, ndaj anëtaresisë dhe ndaj qytetarëve që na besojnë.

Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet.

Faleminderit për vlerësimin, mbështetjen dhe besimin që vazhdoni të ma jepni!

Zoti e bekoftë LDK-në!

Zoti e bekoftë Rugovën!

Zoti e bekoftë Kosovën!