Ridvan Muharremi – nuk ishte vetëm ai që po merrte pjesë në shtet si person privat në “gatimin” e një keqpërdorimi me rezervat shtetërore, të supozuar sekret shtetëror – që i kushtuan buxhetit të Kosovës rreth 3 milionë euro.
Muharremi, me restorantin e tij “Bukë e Zemër”, po gatuante drekat për kryeministrin Albin Kurti dhe të tjerët në Qeveri.
Mbi 11 mijë euro nga buxheti i Kosovës thuhet se janë shpenzuar në dreka zyrtare qeveritare në restorantin “Bukë e Zemër” të tani të akuzuarit Ridvan Muharremi, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për rastin e Rezervave Shtetërore, citon Betimi për Drejtësi.
Sipas një raporti përmbledhës financiar të Njësisë së Hetimeve të Integruara Financiare, që citohet nga aktakuza e Prokurorisë Speciale, këto shpenzime janë bërë nga 3 mars 2022 deri më 14 korrik 2023.
Në mesin e transaksioneve rezulton edhe dreka zyrtare e mbajtur nga kabineti i Zyrës së Kryeministrit Albin Kurti, në vlerë prej 517 euro.
“Nëse analizojmë më në detaje këto transaksione, vërehet se të njëjtat kanë filluar të realizohen nga muaji mars i vitit 2022, pra pikërisht në kohën e zhvillimit të procesit të blerjes së rezervave shtetërore të mallit (grurë, vaj dhe sheqer), ku ishte i përfshirë Ridvan Muharremi”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Aktakuza citon se një transaksion financiar për një drekë në “Bukë e Zemër” ishte bërë pikërisht në ditën e realizimit të kontratës me kompaninë turke për blerjen e 10 mijë tonëve grurë në vlerë prej 4.8 milionë euro.
“Përveç tjerash, në muajin mars, konkretisht më 15 mars 2022, ditën kur është nënshkruar kontrata nga Rozeta Hajdari me operatorin turk ‘Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi’, është realizuar transaksion për drekën zyrtare të organizuar nga Kryeministri, në llogari të biznesit të Ridvan Muharremit ‘Bukë e Zemër’”, thuhet tutje në aktakuzë.
Pronari i restorantit “Bukë e Zemër”, i njohur si “Ridi”, tani po akuzohet nga Prokuroria Speciale për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale, bashkë me Muharremin, po e akuzon edhe ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish-zëvendëssekretarin Irfan Lipovica dhe drejtorin e Departamentit për Rezerva Shtetërore, Hafiz Gara, për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Ata ngarkohen se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej afër 3 milionë euro.









