Ftesa për takim e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për krerët e partive opozitare, ka diktuar agjendën e punimeve në Kuvendin e Kosovës, meqë vazhdimi i seancës së 38-të konsitutive është ndërprerë.
Kryesuesi i seancës Avni Dehari tha se kjo pajtueshmëri është arritur në takimin konsultativ të cilin ai e ka thirrur para fillimit të seancës me liderët e partive.
“Të gjithë ishim të mendimit që seanca sot të ndërpritet, pasi që nesër do të mbahet takimi i liderëve politikë që është ftuar nga LVV-ja”, tha Dehari.
Të enjten, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca konstituive e legjislaturës së Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve.
Më pas Kurti – partia e të cilit Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin ta zgjedh kryetarin e Kuvendit, ka ftuar në takim liderët e partive opozitare.
Saga e seancave të Kuvendit pritet të vazhdojë të dielën e 29 qershorit.